
Kanale diplomatike kanë zbuluar detaje mbi planin e paqes të propozuar nga Donald Trump për luftën në Ukrainë, i cili pritet të shpallet brenda dy javësh. Sipas raportimeve nga Daily Mail dhe gazeta ukrainase Strana, ish-presidenti amerikan kërkon një armëpushim deri më 20 prill dhe parashikon që rindërtimi i Ukrainës të mbulohet nga Europa me një kosto prej 486 miliardë dollarësh.
Plani përfshin gjithashtu ndalimin e aspiratave të Ukrainës për anëtarësim në NATO për të paktën një dekadë dhe krijimin e një zone të çmilitarizuar të drejtuar nga trupat evropiane, por pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA. Për më tepër, Ukraina do të njohë sovranitetin rus mbi rajonet e aneksuara dhe do të tërheqë trupat nga rajoni rus i Kurskut.
Pavarësisht se bisedimet mes Trump dhe Putin thuhet se do të nisin deri më 20 shkurt, qeveria e Zelenskyt mbetet e larguar nga këto negociata. Ndërkohë, Moska ka dhënë sinjale pozitive për këtë plan, me zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, që e cilësoi Trumpin si të “mirëpritur në Rusi sa herë që dëshiron ta vizitojë”./shqiptarja