
Pas një seance maratonë ditën e djeshme GJJKO la në burg kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa ndryshoi masën e sigurisë për Ajola Xoxën, nga “arrest shtëpie” në detyrim paraqitje. Pas rikonfirmimit të masës së sigurisë, Erion Veliaj do të qëndrojë në paraburgimin e Durrësit.
Ditën e sotme ai ka mbërritur në IEVP Durrës.
Çfarë ndodhi dje në seancë.
Në seancë, Erion Veliaj mbrojti veten duke deklaruar se ka ushtruar vetëm detyrën dhe se për këtë arsye, është bërë objekt sulmi. Ai mohoi të ketë vilë në Qerret, duke pretenduar se ajo i takon nënës së Ajola Xoxës, ndërsa mbrojti bashkëshorten e tij.
Po ashtu, Veliaj debatoi me prokrorin e çështjes, Ols Dadon, duke e akuzuar se është në konflikt interesi sepse ka marrë leje në Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e një pallati.
Për bashkëshorten e Veliajt nga ana tjetër, Ajola Xoxën, u vendos një masë më e butë sigurie, nga arrest shtëpiak në detyrim paraqitje. Sipas vendimit, ajo duhet të paraqitet të premten e parë dhe të tretë të çdo muaji para oficerëve të BKH, ndërsa i është ndaluar edhe dalja jashtë vendit.
Gjatë seancës, ajo kërkoi të hiqej nga arresti shtëpiak, duke deklaruar se kujdeset për fëmijët dhe se nuk ka askënd që ta ndihmojë.
Detyrimin për t’u paraqitur në SPAK dy herë në muaj e kanë edhe biznesmenët Gentjan Sula, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi. Ndërsa Elman Abule u la në burg, pavarësisht garancisë pasurore që ofroi./vizionplus