
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se po përballet me probleme teknike në platformën ku publikohen rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare.
Në një përgjigje për KOHËN, KQZ-ja ka thënë se për shkak të interesimit të madh, faqja ka pasur mbingarkesë në sistem.
“Ju njoftoj se KQZ është duke mbledhur të dhënat pas numërimit të fletëvotimeve nga vendvotimet. Janë evidente probleme teknike në platformë. Të dhënat janë duke u mbledhur nga terreni dhe më pas do të publikohen nga KQZ. Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për t’u qasur në platformën e rezultateve, është shkaktuar mbingarkesë në sistem”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai ka shtuar se ekipet po punojnë në terren dhe po dërgojnë të dhëna “të cilat po bëjmë përpjekje që t’i transmetojmë në kohë sa më të shpejtë”.
Deri në momentin e rënies së faqes së KQZ-së, shifrat tregonin se janë numëruar mbi 23 për qind e votave e se prej tyre mbi 50 për qind janë për Vetëvendosjen. Megjithatë ka pasur raportime se të dhënat janë të gabuara.