
Një tërmet me magnitudë 5.2 Rihter ka goditur mbrëmjen e sotme ishullin grek të Santorinit. Ky është tërmeti më i fuqishëm i regjistruar deri më tani në këtë rajon. “Protothema” shkruan se epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi 11.2 kilometrash, 16 kilometra në jug-jugperëndim të Arkesinit, Amorgos. Lëkundjet janë ndjerë edhe në Kretë. Pak më herët dy tërmete po ashtu të fuqishme goditën sërish ishullin, ndërsa pasgoditjet e këtij më të fundit vijojnë.
Në një njoftim të lëshuar nga Universiteti i Athinës tguhej se mbi 6 400 tërmete kanë ndodhur në zonën Santorini-Amorgos nga 26 janari deri më 3 shkurt. Aktiviteti sizmik ka karakteristikat e një tufe sizmike, pasi nuk dallohet asnjë tërmet me magnitudë qartësisht më të madhe se të gjithë të tjerët, që mund të karakterizohet si tërmet kryesor.
Raporti thekson se shpërthimi sizmik i vëzhguar po ndodh brenda harkut vullkanik aktiv të Egjeut Jugor, nuk lidhet drejtpërdrejt me ndonjë qendër të njohur vullkanike. Shkollat fillore dhe të mesme në Mykonos do të qëndrojnë të mbyllura edhe të enjten për shkak të aktivitetit sizmik të vazhdueshëm në zonën e gjerë të Santorinit. ©LAPSI.al