54-vjeçari Valmir Lame, i cili ishte shpallur i humbur nga familjarët e tij është gjetur i pajetë në rezervuarin e Kamenicës.
Valmir Lame kishte shkëputur kontaktet me familjarët e tij në fshatin Kamenicë të Korçës prej të dielës së 26 janarit.
Prej asaj dite, familjarët dhe banorët e zonës janë vënë në kërkim të tij, pa arritur të bien në gjurmët e tij.
Familjarët kërkuan më herët ndihmën e polumbareve të forcave RENEA, pasi kishin dyshime se mund të jetë vetëmbytur në rezervuarin e fshatit që ndodhet shumë pranë stanit të bagëtive, pronë e kësaj familje.
Vëllai i tij Dashnor Lame tregon se ai prej kohësh kishte probleme të shëndetit mendor por nuk largohej nga banesa ndërkohë që merrej me blegtori.