Tre të vrarë dhe një i plagosur ishte bilanci i një atentati të ndodhur mbrëmjen e 20 korrikut 2024 që tronditi qytetin e Memaliajt.
Ngjarja është shënuar rreth orës 23:20 në një lokal në lagjen nr.3, para godinës së Bashkisë Memaliaj.
Shënjestër e atentatit ka qenë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, i cili nuk i mbijetoi plagëve të 6 plumbave me të cilat u qëllua.
Po ashtu, kanë humbur jetën kamerieri 36-vjeçar, Gledian Muka dhe një nga klietët e lokalit, 47-vjeçari Marsel Çela, dy viktima të pafajshme të cilët kanë qenë në lokal në momentin e ngjarjes.
I plagosur ka mbetur edhe Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea Kalemit.
Ai ka qenë i ulur në një tavolinë jashtë bashkë me të vëllanë Shyqyri Kalemi, kur ndaj tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi.
Por çfarë ndodhi atë mbrëmje të 21 Korrikut 2024 në qytetin e Memaliaj?
Tragjedia ndodhi pikërisht në lokalin ku Gledian Muka shërbente prej disa kohësh si kamarier dhe banakier deri në pritje të një përgjigje fatlume nga lotaria amerikane.
Hamza Muka, babai i kamarierit Gledian Muka rrëfen: Më datë 24 Korrik i doli llotaria amerikane dhe i kërkuan dokumentet. Por djali kishte ndërruar jetë që më datë 21 Korrik.
Përgjigje pozitive e cila për fatin e tij të keq mbërriti vetëm disa ditë pasi ai ishte ndarë mizorisht nga jeta. Në atë që tashmë njihet si masakra e Memaliaj e ndodhur në këtë qytet orën e vonë të datës 21 Korrik 2024.
Çfarë ishte ajo masakër e padëgjuar më parë në këtë qytet dikur minatorësh, por që prej kohësh edhe për shkak të shpopullimit kishte humbur gumëzhimën e tij dhe kishte rënë në një qetësi të thellë?
Kush ishin në të vërtetë shënjestrat e kësaj nate?
Dhe cilat janë përplasjet në të cilat janë të përfshirë familja Kalemi, që çuan në harkun e pak muajve në viktima të shumta?
Një histori që është e vështirë t’i gjesh fillin, por që duket se doli në pah fillimisht me një nga atentatet më tronditëse që kishin ndodhur në Tiranë.
Atë, të ekzekutimit më 11 Qershor 2022, me anë të një shpërthimi të telekomanduar të një makine, me të cilën qarkullonte Aleksandër Sadikaj.
Atentat ky i ndodhur në orët e mesditës së kësaj date pranë rrethrrotullimit të Saukut në Tiranë, që i mori jetën rrugës për në spital në atë kohë 27 vjeçarit.
Sadikaj apo i njohur ndryshe si ‘Sanço’, një personazh deri në këtë moment i panjohur për konsumin e gjerë publik, por që pas vetes fshihte një aktivitet të gjatë kriminal, kryesisht në kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
I cili kishte thyer shpesh kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë në të tilla punë.
Që thuhet se ishte i përfshrë edhe në krime kundra shëndetit, në vrasje dhe plagosje.
Por që një prishje pazaresh midis tij dhe biznesmenit kontrovers Edmond Papa, atij që deri pak kohë më parë kishte qenë ortaku më i ngushtë në të tilla biznese, duket se derdhi kupën midis të dyve dhe pasoi me një hakmarrje të egër që në vazhdim nuk kurseu askënd.
Fillimisht vetë Sadikaj që ishte edhe nip te familja Kalemi në Memaliaj.
I cili krahas mbiemrit të tij, përdorte edhe atë të dajave të tij.
Të njohur për influencën e tyre në zonë, si edhe pushtetin ekonomik dhe politik, duke arritur të fitojnë tendera të rëndësishëm deri në pastrimin e qytetit.
Por vrasja e Sadikaj, në një akt të qartë të demonstrimit të forcës nga pala kundërshtare, vetëm sa kishte kishte ngritur kapakun e arkëmortit midis Kalemajve tashmë në njërën anë dhe Edmond Papës dhe njerëzve që qëndronin pranë tij.
Gjë që u pa edhe në hakmarrjen e shpejtë të grupit që kishte pasur lidhje familjare dhe shoqërore me Aleksandër Sadikaj.
Të cilët pa u mbyllur viti 2022 ekzekutuan në Tiranë, vetë biznesmenin Edmond Papa.
Ngjarje kjo e ndodhur më datë 16 Dhjetor të këtij viti, në një lokal në zonën e Selitës në kryeqytet.
Gjatë kohës që Papa po priste poshtë apartamentit të të vëllait, të dilte nëna e tij, të cilën atë ditë do e shoqëronte në spital, për të kryer disa vizita mjekësore.
Por me siguri jo kjo pikënisja, por as fundi i një lumi gjaku që tashmë sapo kishte marrë shtratin e tij.
Kjo pasi Aleksandër Sadikaj kishte shumë përplasje.
Përplasje të cilat u zbuluan edhe nga bisedat tashmë të zbardhura nga autoritetet ligjzbatuese greke, në aplikacionin Sky Ecc.
Aty nga ku del se Aleksandër Sadikaj ishte organizatori i vrasjes së Ari Papës më 26 Shkurt 2021, në një lokal në një lagje të Athinës.
Të dhëna që u bënë publike nga mediat greke vetëm së fundmi.
Ari Papa një personazh i lidhur me trafikun e lëndëve narkotike, që i rezistoi këtij atentati, por që u ekzekutua disa muaj më pas po në Athinë, nga një vrasës që thuhet se erdhi nga Shqipëria.
Hetimet greke
‘Gjatë analizës së mesazheve të aplikacionit Sky Ecc, doli në pah roli aktiv i Aleksandër Sadikaj ose Aleksandër Kalemi si dhe Denis Grabockës në një tentativë vrasje, të ndodhur më 26 Shkurt 2021, ndaj shtetasit shqiptar Aristidis Papas ose Ari Papa.
Motivi i tentativës së vrasjes ndaj tij ishte hakmarrja për ngjarjen e datës 14 Dhjetor 2020 ndaj Viljan Boraj, i njohur si ‘Giannakis’, e ndodhur në zonën e Patisias në Athinë, nga e cila mbeti i plagosur më armë kushëriri i Aleksandër Sadikaj, 16-vjeçari Rubin Kalemi, pasagjer në mjetin në të cilin udhëtonte Boraj.
Por ai ishte në të vërtetë atentati i dështuar ndaj Ari Papës, apo dyshimi se eleminimi i tij disa muaj më pas u krye po nga Aleksandër Sadikaj, që solli edhe firmosjen e mandatit të vdekjes së këtij të fundit.
E vërteta është se Aleksandër Sadikaj u eliminua vetëm një vit më pas, në formën më makabre që tashmë të gjithë e njohin.
Por ndërkohë hetimet në Shqipëri nxorën në dritë edhe konfliktet që Sadikaj kishte me Edmond Papën dhe një personazh të shumëpërfolur të krimit të njohur si Ledjan Allushaj.
Ku fill pas ekzekutimit të Sadikaj nuk vonoi edhe ekzekutimi i atij që mendohej se ishte porositësi i vrasjes së Sadikaj, biznesmenit Edmond Papa.
Nga ata që mendohet se ishin miqtë e Sadikaj.
Albano Velo si dhe 45-vjeçari Andrew Bode.
Ky i fundit i arrestuar në muajin gusht të vitit 2024, teksa u gjet i fshehur në Memaliaj, në familjen Kalemi, ku ishte nip edhe Aleksandër Sadikaj.
Arrestimi i Bodes dhe Adriatik Kalemit që ndodhi pas masakrës së Memaliajt, ku hetuesit besojnë se ata po përgatiteshin për t’u kundërpërgjigjur dhe hakmarrë ndaj kundërshtarëve të tyre.
Hamza Muka: Nga ngjarja kam mësuar diçka, që thuhet gojarisht, për hasmët që ka pasur familja Kalemi. Si të gjitha familjet e tjera edhe familja Kalemaj, ka ardhur në familjen time për të shprehur ngushëllimet. Ne nuk kemi asnjë problem, as me familjen Kalemi, as me ndonjë familje tjetër në Memaliaj.
Por ky nuk ishte atentati i parë në të cilin përfshiheshin pjesëtarë të familjes Kalemi.
Më 12 janar të vitit 2024, vetëm disa muaj para se ndaj tyre të shkreheshin plumbat e masakrës së Memaliaj, Zamir Kalemi, një tjetër anëtar i rëndësishëm i kësaj familje, u bë pre e një sulmi me armë të ndodhur në mbikalimin e Selitës në Tiranë.
Ku ndaj makinës tip ‘Smart’ me të cilën ai udhëtonte, u qëllua në lëvizje nga një tjetër automjet tip ‘Nissan’ me targa të vjedhura.
Që vinte paralel me makinën e tij, në një distancë të ngushtë, ku ndaj tij u derdhën 13 plumba./Tema