Avancimi në parlamentin italian i marrëveshjes së pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë ka bërë që në Zyrën e UIM Albania në Tiranë të rritet numri i personave të interesuar që paraqiten për të kërkuar informacion.

Anila Cili, operatore e Zyrës, shpjegon se me fillimin e vitit të ri, shumë qytetarë po paraqiten për të mësuar më shumë rreth përfitimeve nga kjo marrëveshje, e cila do t’u japë mundësi mbi 500 mijë shqiptarëve në të dyja brigjet e Adriatikut t’u njihen kontributet për sigurime shoqërore në Itali dhe Shqipëri. Marrëveshja synohet të miratohet në dhomën e senatit të Parlamentit të Italisë dhe të hyjë në fuqi brenda pranverës.

yacht hotel sarande

“Me të mësuar lajmin se marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë po avancon në parlamentin italian, shumë emigrantë shqiptarë kanë përfituar nga kthimi në vendlindje për festat e fundvitit për të kuptuar më shumë se në çfarë faze ndodhet procesi. Pyetjet më të shpeshta lidhen me momentin kur mendohet që kjo marrëveshje të miratohet dhe të hyjë plotësisht në fuqi. Në këtë kuptim, u kemi shpjeguar procedurat që ndjek parlamenti italian, i ndarë mes Dhomës së Deputetëve dhe Senatit, si dhe kohën e nevojshme, që mendohet të zgjasë disa muaj”, shpjegon Cili për ATSH.

“Nëse gjërat ecin me ritmin e duhur, mendohet që procedurat parlamentare në Romë të përfundojnë rreth pranverës. Më pas mbeten afatet për publikimin në Fletoren Zyrtare. Ndërkohë, në Shqipëri, parlamenti ynë e ka kryer ratifikimin,” tha Cili.

Ajo theksoi se në zyrën e UIM Albania paraqiten qytetarët që duan të kuptojnë detaje të marrëveshjes dhe mënyrën se si mund të përfitojnë nga ajo.

“Kryesisht kanë një informacion të përgjithshëm dhe paraqiten pranë zyrës së UIM Albania për të kuptuar më në detaj çfarë mundësish krijon për ta marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë. Çdo rast është i ndryshëm dhe duhet parë më vete,” shtoi ajo.

“Në radhë të parë, zyra u vjen në ndihmë duke i informuar të interesuarit mbi të drejtat që gëzojnë sa i përket sigurimeve shoqërore, kushtet minimale që duhen plotësuar për vitet e kontributeve në Shqipëri apo në Itali dhe si mund të përfitohen benefitet përkatëse,” thekson Cili.

“UIM Albania sjell në Tiranë shërbimet që qytetarët marrin në Itali, falë bashkëpunimit me Ministrinë e Punës italiane. Në këtë sens, mund të ndihmojë me procedurat pranë INPS (Instituti Italian i Sigurimeve Shoqërore), ndërkohë që ka edhe një marrëveshje bashkëpunimi me ISSH (Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri). Teksa detajet teknike mbeten ende për t’u finalizuar, UIM Albania është e gatshme të ndihmojë me formulimin dhe paraqitjen teknike të kërkesave pranë INPS në Itali apo ISSH në Shqipëri,” tha Cili.

Zyra UIM Albania u hap përmes marrëveshjes së firmosur në Tiranë, mes Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe UIM Albania. Ky ent sjell shërbimet e patronatit që në Itali përfitojnë jo vetëm qytetarët italianë, por edhe ata shqiptarë.

Zyra u shërben shqiptarëve që kanë vendosur të kthehen në atdhe pas viteve në emigracion, atyre që ende jetojnë në vendin fqinj, si dhe qytetarëve italianë që jetojnë rregullisht në Shqipëri. Përmes zyrës së UIM Albania në Tiranë, këto komunitete mund të përfitojnë akses në shërbimet e ofruara si nga institucionet shqiptare, ashtu edhe ato italiane.

Për evidentimin dhe konkretizimin e mundësive të bashkëpunimit, delegacioni i ITAL-UIL ka zhvilluar takime edhe me përgjegjësit politikë për diasporën të dy forcave kryesore politike: Taulant Balla nga Partia Socialiste, njëherësh ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin; dhe Jozefina Topalli nga Partia Demokratike.

Mbi ITAL, institucionet e patronatit dhe prezencën në Shqipëri (UIM Albania):
Legjislacioni italian rregullon institucionet e patronatit, që mbështesin qytetarët përmes shërbimeve sociale. ITAL – Instituti për Tutelën dhe Asistencën e Punëtorëve – është krijuar nga UIL (Unioni Italian i Punës) dhe vepron prej 70 vitesh në Itali dhe jashtë saj, në shërbim të punëtorëve, pensionistëve, të rinjve, të papunëve dhe emigrantëve. ITAL funksionon bazuar në ligjin italian 152/2001 dhe dekretin ministerial 193/10.10.2008.

Veprimtaria e patronateve monitorohet nga Ministria e Punës në Itali, e cila është edhe financuese ekskluzive e tyre. Janë rreth 1600 seli dhe pika kontakti ITAL, të shpërndara në territorin italian dhe në botë, në dispozicion të atyre që kanë nevojë për asistencë dhe tutelë, me qëllim që të përfitojnë nga të drejtat sociale dhe ato të punës. ITAL është krijuar bazuar mbi idenë se të gëzosh një të drejtë, nuk do të thotë automatikisht të jesh në dijeni të mundësive që gëzon apo të dish si t’i ushtrosh ato. Shumë shqiptarë të Italisë asistohen çdo vit nga ITAL, krahas qytetarëve italianë dhe të huajve në përgjithësi. Nën siglën e UIM – Unioni i italianëve në Botë, ITAL ka çelur së fundmi edhe një prezencë në Shqipëri, UIM Albania./ata

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu