Ky është 48-vjeçari Adriatik Roshi, i njohur ndryshe si “Ad Leci”, i cili u dhunua barbarisht më 5 Janar në ambientet e një berberhane në Tiranë nga disa persona të maskuar.
Nga hetimet rezultoi se organizatori i këtij krimi është biznesmi Artur Koçeku, i cili njihet si Tur Koçeku dhe zyrtarisht ka zgjedhur të vetëquhet Luçiano Koçeku. Ai është shpallur në kërkim si autor i ngjarjes së bashku me tre të afërm të tij, ndërsa nipi i tij dhe një i afërm tjetër janë arrestuar.
Adriatik Roshi ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, ku ka thyerje kockash pothuajse në të gjithë trupin nga koka tek këmbët, por fatmirësisht gjendja e tij shëndetësore paraqitet e qëndrueshme.
E gjithë dhuna është regjistruar nga kamerat e sigurisë të berberhanes ku ndodhi ngjarja, e ndodhur në rrugën “29 Nëntori”, pranë kryqëzimit tek ish-“Shqiponja”.
Në berberhane u futën 4 persona të maskuar dhe të “armatosur” me shufra hekuri dhe sëpata, teksa dy tjerë kanë qëndruar roje tek dera. Ata tërheqin zvarrë biznesmenin Adriatik Roshi, i cili ishte duke pritur në radhë dhe pasi e shtrijnë në tokë, fillojnë ta godasin me shufra hekuri, sëpatë dhe sende të tjera.
Kujtojmë se Policia arrestoi shtetasit: Gani Koçeku, 24 vjeç dhe Ledio Tusha, 31 vjeç (Nipi i Tur Koçekut). Ndërkohë, në kërkim janë shpallur shtetasit Ronald Koçeku, Luçiano (Artur) Koçeku, Gëzim Koçeku dhe Dino (Abedin) Koçeku.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e tyre, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë, me leje në banesën e Ledio Tushajt, si dhe një armë gjahu në banesën e Dino (Abedin) Koçekut.
Kjo ngjarje dyshohet se ka lidhje me sherrin në Palasë, të regjistruar më 24 gusht të 2024-ës, ku Luçiano (Artur) Koçeku u sulmua dhe u plagos rëndë në një lokal të një prej resorteve më të njohura në bregdetin e jugut.
Rrahja e Adriatik Roshit dyshohet se mund të jetë si shenjë hakmarrje për ngjarjen e gushtit në jug të Shqipërisë, megjithatë ende nuk faktohet nëse Adriatik Roshi ka qenë pjesë e sherrit në Palasë.
Një shishe shampanjë dyshohet të ketë qenë zanafilla e sherrit në resortin luksoz mbrëmjen e 25 gushtit në Palasë, ku po këndonte këngëtari grek Kostandinos Argios dhe Adriatik Roshi dyshohet të jetë konfliktuar dhunshëm me Tur Koçekun, pamje që u bënë virale në rrjetet sociale.
Në reagimet zyrtare që bëri Policia në atë kohë, nuk përmendej emri i Adriatik Roshit, pasi disa persona nuk arritën të identifikoheshin, por ngjarja e ndodhur më 5 janar në Tiranë dyshohet të jetë një shenjë hakmarrje për konfliktin në Palasë.
Adriatik Roshi njihet si miku i Fatmir Bejos, një personazh i shpallur në kërkim nga Policia për dy ngjarje kriminale të ndodhura në Tiranë dhe ngjarjen e sherrit të Palasës./oranews