28 subjektet politike i kanë mësuar numrat me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 9 shkurtit. Lista e tyre në fletëvotim do të udhëhiqet nga Iniciativa e re Demokratike e Kosovës, e përmbyllet me partinë Fjala. Derisa kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka bërë thirrje për zbatim të ligjit e rregullave zgjedhore, përfaqësues të secilës prej partive politike numrin e tyre rendor e kanë prezantuar si numër të fitores së tyre.
Renditjen në fletëvotim e kanë mësuar të hënën subjektet politike.
Nga vazoja me disa opsione, përfaqësues të tyre zgjodhën numrin me të cilën do të përfaqësohen në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kësisoj, listës me 28 subjekte politike do t’i prijë Iniciativa e re Demokratike e Kosovës, pasuar nga Lista Serbe, Partia Unike Gorane, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Partia Liberale Egjiptiane, Demokracia Serbe, Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar.
E teta me radhë është Lëvizja Vetëvendosje. Pas saj të radhitura janë: Partia e Re Demokratike, Partia e Serbëve të Kosovës, Koalicioni Ynë Boshnjak, Partia Turke e Drejtësisë së Kosovës, Partia e Ashkalinjve për Integrim.
Lidhja Demokratike e Kosovës përcillet nga Koalicioni PDAK-LPB, Iniciativa Qytetare Drejtësia Popullore, Bashkimi Social Demokrat, kandidati i pavarur Fatmir Bytyqi, Koalicioni për Familjen, Partia e Lëvizjes Inovative Turke.
Lista përmbyllet me Partinë Demokratike të Kosovës, Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Lëvizjen Kombëtare Serbe, Partinë Demokratike Turke të Kosovës, Koalicionin Vakat, Opre Roma Kosova, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e partinë Fjala.
Para tërheqjes së shortit, kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, njoftoi për veprimet që pasojnë e një thirrje kishte për subjektet politike e kandidatët e tyre.
“Pasi KQZ-ja të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa më 11 janar subjektet politike do të fillojnë fushatën zgjedhore. Ftoj të gjitha subjektet politike dhe kandidatët për deputetë që t’u përmbahen ligjeve, rregullave zgjedhore, në këtë mënyrë të kontribuojnë në zgjedhje të lira dhe demokratike”, tha Radoniqi.
Numrat me të cilët do të garojnë në zgjedhjeve, secili prej liderëve të subjekteve politike i ka prezantuar si numra të fitores së tyre./kd