Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla kërkoi miratimin në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të nismës së Partisë Socialiste dhe deputetit, Erion Braçe me projektligjin “Për anulimin e masave administrative” .
Z.Balla vlerësoi praktikën e mirë që kuvendi ka ndjekur duke ngritur një grup pune, i cili punoi gjatë për të hartuar një politikë të tillë.
“Si përfaqësues i Këshillit të Ministrave dhe në emër të ministrive dua të shpreh dakordësinë tonë në parim sa i përket miratimit të këtij pr/ligji, për anulimin e masave administrative” tha ministri gjatë fjalës së tij në Komision, duke sjellë shembuj nga praktika të ngjashme në disa vende të Bashkimit Europian.
“Nisma, duhet të informoj kolegët nuk është një nismë që nuk gjendet në vende të tjera, dhe këtu i referohem kryesisht vendeve të BE. E gjej plotësisht në të njëjtën linjë të ndërmarr në disa vende të BE dhe eshte e njëjtë me një të tillë në Itali dhe Francë, sa i përket shkeljeve të vogla administrative, ku janë zbatuar anulime masash të ngjashme për ndërtimet e vogla pa leje, duke synuar siç thotë parlamenti italian uljen e barrës financiare ndaj qytetarëve. ” sqaroi Balla.
Ministri solli si shembull edhe nxitjen e formalizimit në zonat rurale në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, ku vende si Hungaria dhe Polonia, në të njëtën frymë që vjen nga grupi parlamentar i PS dhe nga kolegu Braçe kanë zbatuar politika për anulimin e gjobave ndaj subjekteve rurale për ndërtimet ose aktivitetet e tyre në shkëmbim të një formalizimi të mëvonshëm.
Sipas ministrit, parimi i parashkrimit për masat administrative është dyvjeçar, ndaj pr/ligij bie tërësisht në linjën e një standarti të vendosur nga parlamentet e vendeve te BE, ndërsa sugjeroi disa saktësime.
“Në këtë kontekst unë sa i përket shprehjes në parim sepse për këtë jemi këtu, dua të shpreh dakordësinë e qeverisë për miratimin e këtij pr/ligji. Dhe ndërkohë në komunikim me Ministrinë e Drejtësië do të sugjeronim disa saktësime të natyrës të teknikës legjislative. Me qëllim që qoftë në titullin e ligjit, pra do të ishte mirë që anulimi i masave administrative të shoqërohej dhe me identifikimin e karakterit ndëshkues të vendosur ndaj subjekteve që ushtrojnë veprimtari bujqësore dhe blegtorale, në mënyrë që mos ketë një karakter të përgjithshëm dhe që mund të përdoret për qëllime të tjera, por të identifikohet plotësisht sektorët në të cilat ndërhyhet. Dhe po ashtu sa i përket teknikës legjislative, idea është që në nenin 1 të përcaktohet qëllimi i ligjit, pra në fakt neni 1 është i tillë, por në formën që e kërkon dhe teknika legjislative neni 1 të jetë qëllimi i ligjit, neni 2: cilat janë kriteret për faljen administrative që në fakt janë të përcaktuar të gjitha në draftin përkatës dhe në këtë mënyrë e vendosim pr/ligjin në formën që kërkon edhe kodifikimi” saktësoi ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Komision.