Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha të martën se ka aktorë të huaj keqdashës që duan të dëmtojnë demokracinë e Kosovës duke shfrytëzuar ndarjet etnike.
Ai i bëri këto komente gjatë punimeve të konferencës me temën: “Integriteti i Informacionit”, e organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik me seli në Shtetet e Bashkuara.
“Nuk mund ta lejojmë që kjo të ndodhë. Nuk duhet ta lejojmë të ndodhë”, tha ambasadori Hovenier duke nënvizuar se dezinformimi mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta posaçërisht në periudha zgjedhjesh.
“Mendoj se është veçanërisht e rëndësishme me zgjedhjet që vijnë në shkurt të vitit 2025. Dezinformimi mund të ketë gjithmonë pasoja të tmerrshme, por mendoj veçanërisht në periudha elektorale dhe është jetike që qytetarët të kenë qasje në informacionin e saktë në mënyrë që të marrin vendimet më të mira për të ardhmen e vendit të tyre”, tha ambasadori Hovenier.
Ambasadori amerikan, i cili në fund të muajit i jep fund shërbimit në Kosovë dhe del në pension, tha se edhe në hulumtimin e publikuar në fillim të këtij viti nga Instituti Kombëtar Demokratik lidhur “cenueshmërinë e dezinformimit”, nxjerr në pah sipas tij një çështje shqetësuese ku theksohet se marrëdhëniet ndëretnike janë çështja më e përdorur ne fushatat dezinformuese në Kosovë.
Eva Palatova nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se dezinformimi dhe manipulimi i informacionit janë bërë kërcënime thelbësore jo vetëm për proceset demokratike.
“Përpjekjet tona për të kundërshtuar manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj nuk kanë të bëjnë vetëm me luftimin e dezinformimit. Ato kanë të bëjnë me mbështetjen e proceseve për forcimin dhe rindërtimin e besimit në media, fuqizimin e qytetarëve për të marrë vendime të mbështetura në informacion dhe mbrojtjen e vetë themeleve të demokracisë”, tha ajo duke nënvizuar se këto përpjekje janë kritike, veçanërisht në kontekstin e zgjedhjeve, ku dezinformimi mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në integritetin e proceseve zgjedhore.
“Ndërsa presim zgjedhjet e ardhshme në Kosovë, nevoja për veprime të fuqishme për të ruajtur integritetin e informacionit është edhe më kritike. Zgjedhjet janë një kohë kur informacioni luan një rol qendror në formësimin e opinionit publik dhe në drejtimin e vendimmarrjes. Por, kur informacionet mbi të cilat qytetarët mbështeten janë të shtrembëruara, ato dëmtojnë aftësinë e tyre për të bërë zgjedhje të drejtë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi syçelë dhe aktivë në luftën kundër dezinformimit gjatë kësaj periudhe”, tha ajo.
Ajo tha se Bashkimi Evropian në bashkërendim me Institutin Kombëtar Demokratik, do të nisë një studim mbi rrëfimet dhe aktorët e dezinformatave gjatë zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, duke u përqendruar në identifikimin e rrëfimeve kryesore të dezinformatave dhe në shqyrtimin e ndikimit të tyre në opinionin publik dhe proceset zgjedhore.
Kosova pritet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare me 9 shkurt të vitit të ardhshëm./Voa