Pak pas mesnate në kryeqytet është ndarë nga jeta kryetari i “Shoqatës Tirana”, Arben Tafaj. Ai është ndarë nga jeta në moshën 63-vjeçare, ndërsa policia bën me dije se Tafaj ka rënë nga lartësia në banesën e tij në Rrugën e Dajtit.
Më datë 03.12.2024, rreth orës 00:40, në Rrugën e Dajtit, dyshohet se duke qenë në gjendje të dehur, aksidentalisht është rrëzuar nga një lartësi rreth 10 metra, në banesën e tij, shtetasi A. T., 63 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra ky shtetas ka ndërruar jetë në spital ben me dije policia.
Lajmin e ka njoftuar edhe familja në faqen personale të Tafajt në Facebook.
Arben Tafaj ishte një politikan dhe aktivist shqiptar, i njohur për angazhimin e tij në fushën e administratës lokale dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Tiranës. Ai ka qenë ekonomist i diplomuar në Fakultetin Ekonomik në vitin 1986. Karriera e tij politike është e lidhur me postin e kryetarit të njësisë bashkiake numër 8 në Tiranë, ku ka shërbyer për tre mandate radhazi, duke fituar gjithmonë më shumë vota në zgjedhjet e çdo cikli.
Arben Tafaj nisi karrierën e tij politike në zgjedhjet e vitit 2003, kur fitoi 4,570 vota, ose 48.65% të votave. Në vitin 2007, ai mori 6,734 vota (56.85%), ndërsa në 2011 arriti 9,634 vota (59.21%). Përveç angazhimit të tij në administratën publike, ai ishte një nga drejtuesit e shoqatës “Tirana”, një grupim civil që promovonte vlerat e trashëgimisë kulturore dhe qytetare të Tiranës, duke luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e këtyre vlerave dhe në komunikimin me shoqërinë dhe organizmat ndërkombëtarë.