Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump është duke e shqyrtuar mundësinë që Richard Grenell, ish-shefi i tij i inteligjencës, të bëhet i dërguar i posaçëm për konfliktin e nisur nga Rusia në Ukrainë.

Grenell, i cili ka shërbyer si ambasador amerikan në Gjermani, më pas si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe si shef për inteligjencë kombëtare në mandatin e parë të Trumpit si president, në periudhën 2017-2021, do të luante rol të madh në përpjekjet e Trumpit për të ndalur luftën e nisur nga Rusia në Ukrainë.

yacht hotel sarande

Ndonëse aktualisht nuk ekziston një pozitë në administratën amerikane e dedikuar për t’i dhënë fund kësaj lufte, Trump është duke konsideruar krijimin e pozitës së re, kanë thënë katër burime të afërta me këto zhvillime, raporton Reuters.

Grenell ka bërë thirrje më parë për krijim të “zonave autonome” si mënyrë për dhënie fund të konfliktit.

Ai, po ashtu, ka sugjeruar se nuk do të ishte në favor të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, në të ardhmen e afërt.

Karoline Leavitt, zëdhënëse e Trumpit në këtë periudhë transizioni, nuk e ka konfirmuar këtë emërim, dhe ka thënë se vetë presidenti i zgjedhur do t’i bëjë publike vendimet e veta.

Ai tashmë i ka bërë publikë emrat e disa figurave që ka nominuar për pozitat kryesore në administratën e tij të ardhshme.

Në mesin e tyre është Marco Rubio për Sekretar amerikan të Shtetit.

Disa prej nominimeve do të duhet të miratohen nga Senati amerikan, që në legjislaturën e ardhshme do të kryesohet nga republikanët e Trumpit./rtk

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu