Për të dytën ditë me radhë, Ilir Beqaj u paraqit në Kryesinë e Kuvendit, por arriti vetëm të ngjiste shkallët e godinës.
Ish-ministri nuk mundi të paraqitej para deputetëve në komisionin hetimor për koncesionet në Shëndetësi dhe qëndroi pas dere në pritje për t’u marrë në pyetje.
Teksa Beqaj bënte ecejake në korridoret e Kuvendit, ish-kolegët e tij debatonin.
Për gati 30 orë u përsërit përplasja për thirrjen dëshmitar të Edi Ramës dhe Vilma Nushit, ndërsa socialistët kërkonin që Ilir Beqaj të bënte edhe prezantimin në “Power Point”, e më pas të niste seanca pyetje-përgjigje.
Nga tonet e larta, përplasja mes kampeve kaloi edhe me pankarta.
Pavarësisht pritjes së gjatë, ish-ministri Ilir Beqaj nuk arriti që të jepte dëshminë.
Mbledhja e kësaj të mërkure shënoi edhe mbylljen e afatit të Komisionit Hetimor për dy koncesionet në shëndetësi, check up dhe sterilizimin.
Ndërkohë kryetarja e Komisionit Hetimor Albana Vokshi akuzon mazhorancën se kanë kryer vepër penale dhe do të kallëzohen.
Po ashtu Vokshi paralajmëroi se nuk do ta lenë me kaq dhe nuk do ta lënë derisa të zbardhet e vërteta.
“Ju jeni penguesit e komisionit hetimor parlamentar. Ju keni kryer vepër penale, dhe kushdo që nuk i është përgjigjur komisionit ka shkelur ligjin. Mos mendoni se do lemë këtu, mos mendoni se do heqim dorë nga e vërteta.
Mos mendoni që nuk do e zbardhim dhe nuk do i cojmë të gjithë aty ku duhet të jenë, Edi Rama i pari. Ai ka urdhëruar që ti binden kodit të mafies. Duke vazhduar te Ilir Beqaj, te Ogerta Manastriliu, Albana Koçiu etj”, tha Albana Vokshi.