Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen me të cilën ka biseduar mbi përfitimet e qytetarëve të vendit tonë nga zbatimi i agjendës së reformave, në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Kurti i shprehu mirënjohjen e tij presidentes von der Leyen për përkushtimin e saj ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, që dëshmohet nga vizitat dhe takimet e shpeshta gjatë udhëheqjes së saj dhe avokimi i zëshëm për integrim të plotë të rajonit në Bashkimin Evropian.
Ai ritheksoi rëndësinë e largimit të plotë dhe të menjëhershëm të masave ndaj Kosovës dhe marrjen e statusit kandidat të BE-së, si meritë që reflektohet në angazhimin e palëkundur të Kosovës për integrim evropian dhe reforma, dhe zhvillimin ekonomik e progresin demokratik që ka shënuar viteve të fundit.
Duke folur për agjendën e reformave të Kosovës, Kurti theksoi se ajo ka pesë fusha prioritare, parasheh 30 reformave dhe 111 hapa për të adresuar çështjet kryesore të ekonomisë sonë, që përfshijnë sigurinë energjetike, punësimin, tërheqjen e investimeve të huaja dhe formalizimin e punës dhe ekonomisë.
Ai tha se Kosova është e gatshme të zbatojë reformat dhe të përfitojë sa më shumë nga mbështetja financiare në dispozicion që arrin vlerën 882 milionë euro../kosovapress