Kandidatja demokrate Kamala Harris dhe rivali i saj republikan Donald Trump kanë një mbështetje të barabartë në elektoratin amerikan, me 48% secili përsa i përket votës popullore për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në SHBA, sipas një sondazhi të fundit të gazetës New York Times dhe Kolegjit Siena të publikuar të premten.
Në zgjedhjet e fundit, demokratët kanë pasur një avantazh në votën popullore edhe kur kanë humbur Kolegjin Zgjedhor dhe si rrjedhojë Shtëpinë e Bardhë. Sondazhi vjen më pak se dy javë para zgjedhjeve. Ky sondazh është i ngjashëm me anketa të tjera që të gjitha i nxjerrin kandidatët me rezultat të ngushtë, çka do të thotë që është e vështirë të parashikohet se cili do të fitojë. Zgjedhjet presidenciale të këtij viti mund të përcaktohen nga një numër i vogël votuesish.
Zonja Harris dhe zoti Trump mbeten efektivisht me mbështetje të njëjtë pas tre muajve më të trazuar në historinë moderne të politikës amerikane. Një debat presidencial, të cilit ju atribuua gjerësisht tërheqja nga gara e Presidentit Joe Biden, dy atentate ndaj zotit Trump, dhjetëra tubime në shtatë shtete që do të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe qindra miliona të shpenzuara për reklama, me sa duket nuk kanë arritur ta ndryshojnë trajektoren e garës.
Sondazhi i fundit ofron një dritare tek ndjenja kombëtare në këtë moment, por zgjedhjet presidenciale do të vendosen në shtatë shtetet vendimtare ku zonja Harris dhe zoti Trump kanë përkushtuar pjesën më të madhe të përpjekjeve dhe burimeve të tyre./voa