Përmes një postimi në rrjetet sociale KMSH njofton se me vizitën e Presidentit të Turqisë në Shqipëri, Rexhep Taip Erdogan, do të inaugurohet edhe hapja e xhamisë së Namazgjasë. Në reagimin e KMSH shprehen falënderimet për kontributin e madh të popullit dhe qeverisë turke si dhe për mbështetjen e pakushtëzuar të qeverisë shqiptare. Në këtë mënyrë merr fund përplasja trevjeçare që la xhaminë e Namazagjasë pa një drejtues dhe që nuk priste asnjë besimtar mysliman.
Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan do të inaugurojë këtë xhami që i ka kushtuar qeverisë turke 30 mln euro, duke i besuar drejtimin e saj, jo Komunitetit Mysliman Shqiptar, drejtuesin e të cilit e quan gylenist, por një imami turk. Për vizitën zyrtare që presidenti turk, Erdogan do të zhvillojë të enjten, çdo gjë është bërë gati. Xhamia në qendër të kryeqytetit, e konsideruar si më e madhja në Ballkan, është veshur me flamujt e Turqisë dhe Shqipërisë, e pas inaugurimit do të jetë e hapur për të gjithë besimtarët myslimanë.
Drejtimin e xhamisë, në të cilën 10.000 besimtarë do të mund të falin namazin në të njëjtën kohë, e që puna nisi që në vitin 2015-të, do ta marrë imami turk. Enes Bastur, i cili vetë njoftoi lajmim përmes një postimi në rrjetet sociale.
“”Të dashur miq me udhëzimet e Drejtorisë tonë të çështjeve Fetare më caktuan te faltorja e madhe e Xhamisë qendrore Namazgja në Tiranë”, shkruan ai.
Ndonëse kjo xhami duhet të hapte dyert për besimtarët dhe të thirret ezani i parë që në vitin 2018, tri vite pas nisjes së punimeve, nuk u realizua për shkak të përplasjeve mes komunitetit mysliman në Turqi dhe atij në Shqipëri, të akuzuar si gylenistë, kundërshtarët më të fortë të Erdogan, të cilët ky i fundit i ka akuzuar edhe për grusht shteti në 2016-tën.
Gjatë vizitës së tij zyrtare, presidenti i Turqisë do të qëndrojë vetëm disa orë në Tiranë ku veç inaugurimit të xhamisë do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin Rama, e më pas një konferencë për mediat.
Një takim Presidenti Erdogan e ka planifikuar edhe me homologun e tij, Presidentin Bajram Begaj. Xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve, thuhet në një postim në Facebook të komunitetit mysliman. Komuniteti falënderon presidentin Erdogan dhe kryeministrin Edi Rama për realizimin e kësaj xhamie që është ëndrra e kahershme e shqiptarë.
“Kjo xhami është një ëndërr e kahershme e popullit shqiptar, e cila u bë e mundur falë bujarisë së popullit vëlla turk dhe insistimit të Presidentit të Republikës së Turqisë, SH.T.Z, Recep Tayyip Erdoðan. Po ashtu Xhamia e madhe e Namazgjasë nuk do ishte bërë sot realitet pa mbështetjen e madhe administrative po edhe financiare të qeverisë shqiptare, që falë vullnetit të kryeministrit Edi Rama i hapi rrugë konsolidimit të pronësisë sonë mbi truallin e Namazgjasë.
Presidenti Erdoðan dhe Kryeministri Rama do të jenë të pranishëm personalisht në ceremoninë e inaugurimit, në të cilën Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të përfaqësohet nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i cili do të jetë, gjithashtu, edhe kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administrojë xhaminë e Namazgjasë më tej. Ne falënderojmë popullin turk dhe presidentin Erdoðan, si edhe kryeministrin e Shqipërisë që bënë të mundur realizimin e kësaj ëndrre të besimtarëve myslimanë shqiptarë. Këtu veçojmë, gjithashtu, ndërveprimin e shkëlqyer të qeverisë shqiptare dhe asaj turke, ndërveprim i cili ka qenë deciziv në realizimin e kësaj vepre madhështore për popullin dhe kryeqytetin shqiptar. Një falënderim vëllazëror u shkon të gjithë atyre që e ndërtuan xhaminë tonë të madhe me mendjet e duart e tyre të arta”, – shprehet Komuniteti Mysliman.
Sipas tyre Xhamia nuk do të jetë thjeshtë një vendfalje, por një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve.
/Gazeta Panorama