Kapet në Milano dhe arrestohet provizorisht, për t’u ekstraduar në Shqipëri, një 47-vjeçar i akuzuar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për sigurim kushtesh/mjetesh për të kryer vrasje.
Si rezultat i informacionit të siguruar për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe shkëmbimit të këtij informacioni ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, nga Policia italiane u mundësua lokalizimi dhe kapja në Milano, Itali, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit Aleks Ndreka, njohur me nofken “Leksi i druve”.
47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të megaoperacionit “Metamorfoza”, pasi GjKKO, më datë 23.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Vijon bashkëpunimi me homologët në Itali, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit A. N., në Shqipëri.