Nis interpelanca me kryeministrin Rama lidhur me skandalin e mbetjeve toksike të kompanisë KURUM që po tregtoheshin nga kompania tjetër “Sokolaj” drejt Azisë (Singapor dhe Tajlandë). Interpelanca u kërkua nga PD. Bardhi i kërkon kuvendit të hetojë se kush e sollin ligjin për Gardën.
Tirane- Skandali i mbetjeve toksike të kompanisë KURUM që po tregtoheshin nga kompania tjetër “Sokolaj” drejt Azisë (Singapor dhe Tajlandë),është sot në qendër të debatit politik në Kuvend.
Partia Demokratike thirri në interpelancë kryeministrin Edi Rama. Kryetari i Grupit të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, pyeti kreun e qeverisë se kush e lejoi eksportin nga porti. Bardhi e cilësoi Ramën si kreun e aktivitetit të kontrabandës për mbetjet e rrezikshme.
Si janë lejuar të eksportohen nga Porti i Durrësit. Kush i ka lejuar të dalin nga porti i Durrësit. Për këtë duhet të përgjigjet kreu i aktivitetit të kontrabandës. Kur kapesh si kriminel në shkelje të ligjit nuk përballesh por përpiqesh të shmangesh” tha Badhi.
Në kundërpërgjigje Kryeministri Edi Rama e quajti: ‘Fletërrufe malinje” interpelancën e PD-së ndërsa nënvizoi se po hetohet nga institucionet.
‘Telenovelë politike, akuza e fantazi për të helmuar popullin shqiptar.Janë vetëm dyshime. S’ka prova e as çertifikime. Por organet tona po hetojnë. Në të dyja rastet, atij nga Elbasani – në Tajlandë e nga Kosova në Kinë përmes Durrësit, mallrat janë transportuar me të gjithë dokumentacionit përkatës përmes linjave konterenike ndërkombëtare me reputacion të padiskutueshëm. Aludim psikopatologjik, i artikuluar fatkeqësisht jo nga instucionet por nga të njëjtat burime ndotëse politike e mediatike në Tiranë… nga goja 7 penxherëshe… ‘ tha Rama.
Ndërkohë seanca e Kuvendit nisi me një kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PD-së të ngrihet komision për të hetuar kush solli ligjin e gardës.
Bardhi akuzon se kreu i gardës Ermal Onuzi ishte i paracaktuar.
“E kishte zgjedhur si investim një oligark që në shkurt 2024. Ngrini komision etike dhe hetoni si erdhi, kush e solli ligjin dhe si u votua ligjin” tha Bardhi.
Qeveria do t’i përgjigjet PD-së edhe për protestat në Thumanë-Kashar
Po sot pritet që PD të zhvillojë edhe një interpelancë me ministren e Infrastrukturës, në lidhje me protestat e banorëve për bllokimin e hyrje-daljeve në zonat e tyre të banimit pas ndërtimit të aksit Thumanë Kashar. Një ditë më parë kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë dega Krujë, Sabah Sheta bëri me dije arritjen e një zgjidhje, ndërsa ministria thotë vetëm se do të realizohet projekti fillestar i Korridorit blu.
Një tjetër pikë e rëndit të ditës është edhe miratimi Aktit Normativ për ndryshimet në Urdhrin e Mjekut, të cilin qeveria e ndryshoi pas skandalit tek Onkologjiku, dhe që kufizon të drejtën e mjekëve që punojnë në shtet, të punojnë edhe në privat.
Në rend dite dhe ‘Mandati i Xhaçkës’
Në seancën pritet që të diskutohet edhe mandati i Olta Xhaçkës, për të cilin Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar deputetët të votojnë për ta dërguar atë në Kushtetuese./shqiptarja.com