
Saranda po shndërrohet në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për sipërmarrësit e rinj në fushën e turizmit. Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e suksesshëm të qytetit, duke diskutuar sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik.
Në takim, Kryeministri theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturë, përmirësimin e hapësirave publike dhe mbështetjen për bizneset e vogla dhe të mesme. Ai njoftoi gjithashtu se qeveria ka planifikuar nisjen e projektit për rrugën 6 pas zgjedhjeve, duke e shndërruar atë në një zonë tërësisht pedonale për të rritur vlerën turistike të qytetit.
Rama ftoi të rinjtë të shfrytëzojnë potencialin e agroturizmit në zonat përreth Sarandës, si Delvina, Finiqi dhe Konispoli, duke theksuar se hyrja e Shqipërisë në BE do të dyfishojë vlerën e pronave dhe investimeve në sektorin turistik.
Ai gjithashtu u ndal tek rregullimi i sistemit të menaxhimit të plazheve dhe formalizimi i sektorit të turizmit, duke paralajmëruar se strukturat hoteliere që zgjedhin të mos deklarojnë të ardhurat reale do të përballen me kontrolle më të rrepta fiskale.
Takimi u shoqërua me diskutime të hapura mes sipërmarrësve dhe qeverisë, ku u ngritën çështje të rëndësishme si menaxhimi i ujit, parkimi dhe rritja e aktiviteteve kulturore. Kryeministri përgëzoi ata që janë rikthyer nga emigracioni për të investuar në Shqipëri, duke propozuar krijimin e një “Kuvendi të të Kthyerve” për të ndihmuar në informimin dhe integrimin e mëtejshëm të tyre në tregun vendas.
Në përfundim, Rama u shpreh optimist për zhvillimin e Sarandës si një qendër turistike e nivelit europian, duke theksuar se qeveria do të vazhdojë mbështetjen për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe infrastrukturës në qytet.