
Kryeministri ka reaguar sërish lidhur me debatet për projektin turistik në Zvërnec, duke iu përgjigjur kritikëve dhe protestuesve që kundërshtojnë investimin.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama u bëri thirrje atyre që, sipas tij, përdorin gjuhë fyese dhe sulme personale në rrjet, të lënë ambientalistët dhe qytetarët e shqetësuar të shprehin lirisht mendimet e tyre.
“Merruni me mua sa të doni, po lërini ambientalistët e vërtetë në punën e në të drejtën e tyre të protestës, lërini mbrojtësit dhe dashamirët e vërtetë të natyrës në punën e në të drejtën e tyre të protestës”, shkruan Rama.
Më tej, kreu i qeverisë solli si shembull rajonin e njohur të në Francë, duke argumentuar se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e natyrës nuk janë domosdoshmërisht në kundërshtim me njëra-tjetrën.
Sipas tij, Camargue, e vendosur në deltën e lumit Rhône, është një nga ligatinat më të rëndësishme të Europës dhe njëkohësisht një destinacion i rëndësishëm turistik, me hotele, marina, restorante dhe aktivitete të lidhura me natyrën.
“Franca nuk e mbrojti Camargue duke e mbajtur qytetërimin larg saj. E mbrojti duke e bërë të vlefshme për qytetërimin e saj”, thekson Rama.
Kryeministri argumenton se peizazhi natyror mund të shndërrohet në një aset ekonomik, duke krijuar interes për mbrojtjen e tij dhe jo për shkatërrimin.
“Nuk zgjodhi mes natyrës dhe zhvillimit, por gjeti mënyrën që të dyja të fitojnë bashkë”, shkruan ai, duke e cilësuar këtë si mësimin kryesor që ofron modeli francez.
Deklarata vjen në një kohë kur protestat kundër investimit në Zvërnec kanë hyrë në javën e dytë dhe debati publik mbi ndikimin e projektit në mjedis vijon të mbetet i fortë.






