Një etapë e re për industrinë detare dhe ushtarake shqiptare u shënua këtë të martë në Pashaliman, ku u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit mes gjigantit italian Fincantieri, kompanisë shtetërore Kayo dhe Shkollës Industriale “Pavarësia” në Vlorë. Marrëveshja synon përgatitjen e specialistëve të rinj dhe krijimin e mundësive të punësimit në sektorin e ndërtimit dhe industrisë detare.

Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, i cili e cilësoi partneritetin si një hap të rëndësishëm për rilindjen e industrisë ushtarake shqiptare dhe forcimin e bashkëpunimit strategjik me Italinë.

Sipas Ramës, projekti do të krijojë 500 vende të reja pune të mirëpaguara në Pashaliman, ndërsa punonjësit do të jenë specialistë të kualifikuar, të përgatitur për një sektor me rëndësi strategjike për vendin. Ai theksoi se në qendër të projektit do të jetë kapitali njerëzor, ndërsa nxënësit e Shkollës Industriale “Pavarësia” do të kenë mundësi të trajnohen në kantieret e Fincantieri në Itali, përpara se të angazhohen në projektet që do të zhvillohen në Shqipëri.

Kryeministri deklaroi se qeveria do të rrisë investimet në mbrojtje në përputhje me angazhimet e NATO-s, ndërsa kompania shtetërore Kayo do të ketë rolin e përfaqësimit të interesave të shtetit në partneritetet industriale të mbrojtjes.

Rama mbrojti edhe politikën e tërheqjes së investimeve të huaja, duke theksuar se ato krijojnë vende pune dhe mundësi zhvillimi për shqiptarët. Ai u shpreh se ekonomia shqiptare është rritur nga më pak se 10 miliardë euro në mbi 27 miliardë euro dhe objektivi është të arrijë në 35 miliardë euro, përmes shtimit të investimeve strategjike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu