
Protesta kundër projektit turistik në Zvërnec hyri në ditën e 12-të me thirrje të forta kundër kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, ndërsa nga podiumi u artikulua nevoja për krijimin e një force të re politike dhe pjesëmarrjen në një qeveri teknike.
Qytetarët u mblodhën para Kryeministrisë me pankarta, flamuj kombëtarë dhe pesë karrige bosh që simbolizonin emigracionin e shqiptarëve drejt vendeve si Greqia, SHBA dhe Kanadaja. Mesazhi kryesor ishte se protesta tashmë ka tejkaluar kauzën fillestare të Zvërnecit dhe po përfaqëson pakënaqësi më të gjera sociale dhe politike.
Gjatë tubimit u dëgjuan dëshmi personale për emigracionin, shëndetësinë, varfërinë, drejtësinë dhe kujtime nga ngjarje si Gërdeci dhe viti 1997. Protestuesit theksuan se nuk përfaqësojnë asnjë forcë politike dhe kundërshtuan përfshirjen e partive tradicionale në lëvizje.
Një nga mesazhet më të forta të mbrëmjes ishte kërkesa që protesta të organizohet politikisht.
“Duhet të kemi një përfaqësi apo një parti për të marrë pjesë në zgjedhje dhe në një qeveri teknike”, u shpreh një prej protestuesve nga podiumi.
Për herë të parë që nga nisja e protestave, organizatorët zgjeruan itinerarin e marshimit në Tiranë. Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit marshuan drejt Astirit dhe akseve të tjera kryesore të kryeqytetit, duke shkaktuar bllokime të përkohshme të trafikut si një formë e mosbindjes civile.






