Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, së bashku me kryetarin e Bashkisë Vorë, Blerim Shera, inspektuan përfundimin e punimeve në rrugën e Lagjes së Re, në Prezë, një investim i financuar nga Bashkia Vorë që përmirëson ndjeshëm infrastrukturën e zonës.

Projekti përfshin rikonstruksionin e plotë të rrugës, ndërtimin e trotuareve të gjera, vendosjen e ndriçimit publik dhe sistemeve të reja të kanalizimeve, duke krijuar kushte më të sigurta dhe më funksionale për komunitetin. Nga ky investim përfitojnë drejtpërdrejt rreth 300 banorë të zonës, e cila është zhvilluar kryesisht pas viteve ’90.

Gjatë inspektimit, Balla vlerësoi cilësinë e punimeve, duke theksuar se investimet në infrastrukturë duhet të realizohen sipas standardeve më të mira, pasi janë projekte afatgjata që i shërbejnë komunitetit për shumë vite. Balla ka nënvizuar edhe nevojen për rritjen e sigurisë rrugore, duke vënë në dukje se një rrugë e re dhe me standarde të larta sjell shpesh rritje të shpejtësisë së lëvizjes së automjeteve. “Kërkesat e banorëve për vendosjen e pengesave ngadalësuese janë të arsyeshme dhe duhen marrë në konsideratë”, tha Balla.

Balla gjithashtu ka theksuar se Bashkia Vorë po vijon investimet në infrastrukturë, ndërsa priten të nisin edhe projekte të tjera në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu