
Shkon në dy numri i viktimave nga aksidenti i rëndë i ndodhur pasditen e së mërkurës pranë rrethrrotullimit të TEG-ut në Tiranë.
Policia ka bërë të ditur se viktimat janë dy shtetas egjiptianë që udhëtonin me kamionin pompë betoni. Drejtuesi i mjetit, M. L., rreth 30 vjeç, humbi jetën në vendngjarje, ndërsa pasagjeri, M. A., rreth 44 vjeç, ndërroi jetë në spital, pavarësisht ndihmës së dhënë nga mjekët.
Në aksident u përfshi edhe një automjet tjetër. Drejtuesi i tij, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, ndodhet në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Sipas hetimeve paraprake, kamioni pompë betoni u përplas me automjetin, çau barrierat mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe përfundoi në nivelin e poshtëm të aksit rrugor TEG–Elbasan.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.






