Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure pranë rrethrrotullimit të TEG-ut në Tiranë, ku një kamion betoniere u përplas me një automjet dhe përfundoi jashtë rrugës.

Sipas Policisë, rreth orës 16:20, pas përplasjes me një automjet, kamioni çau barrierat metalike mbrojtëse të rrethrrotullimit dhe ra në nivelin e poshtëm të aksit TEG–Elbasan, në drejtim të Elbasanit.

Si pasojë e aksidentit, njëri prej personave që udhëtonte në kamion dyshohet se ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa personi tjetër është transportuar në spital në gjendje të rëndë.

Dy personat që ndodheshin në kamion nuk janë identifikuar ende dhe autoritetet po punojnë për të përcaktuar nëse viktima ishte drejtuesi i mjetit apo pasagjeri.

Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi R. N., rreth 28 vjeç, është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu