
Një efektiv i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli ka mbetur i vrarë mëngjesin e kësaj të enjteje gjatë një operacioni policor në zonën e Lozhanit, në Bashkinë e Maliqit.
Sipas Policisë së Shtetit, rreth orës 07:30, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq dhe Komisariatin e Korçës, zhvilluan një operacion në zonën e Lozhanit, në malin Boden, për kapjen e shtetasit Violand Braçellari, 43 vjeç, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Braçellari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa më herët ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për “Kultivim të bimëve narkotike”.
Pasi policia kishte rrethuar stanin ku ai dyshohej se fshihej dhe i kishte bërë thirrje të dorëzohej, 43-vjeçari ka hapur zjarr ndaj efektivëve.
Si pasojë e sulmit humbi jetën në krye të detyrës inspektori Enea Mekolli 34 vjeç, ndërsa mbeti i plagosur inspektori E. A., 36 vjeç. Të dy ishin pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Korçë.
Policia iu kundërpërgjigj me armë zjarri për të neutralizuar sulmin, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur edhe vetë Braçellari, i cili më pas u arrestua.
Në vendngjarje është nisur edhe helikopteri i shëndetësisë, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes



