Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK ndaj kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas PD-së, Peleshi ka ndërprerë në mënyrë arbitrare mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku po shqyrtohej kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pa caktuar një datë të re për vijimin e punimeve. Justifikimi i dhënë, sipas kallëzimit, ka qenë nevoja që palët të njiheshin më tej me dokumentacionin shoqërues të Prokurorisë.

Në kallëzim theksohet se pesë deputetë të PD-së, anëtarë të Këshillit, kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur mbledhjen e tij në disa data gjatë muajit dhjetor 2025 dhe janarit 2026, duke argumentuar se koha për njohjen me aktet ka qenë e mjaftueshme dhe se kërkesa e SPAK ka natyrë urgjente për shkak të rrezikut të prishjes së provave dhe intimidimit të dëshmitarëve.

Demokratët pretendojnë se kryetari i Kuvendit ka refuzuar pa bazë ligjore thirrjen e mbledhjes, në kundërshtim me nenin 13, pika 6 të Rregullores së Kuvendit, duke cenuar të drejtën e deputetëve për të kërkuar mbledhjen e Këshillit dhe duke penguar mbarëvajtjen e hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.

“Sjellja e kryetarit të Kuvendit ka dëmtuar interesin publik dhe ka përmbushur elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës”, thuhet në kallëzimin e depozituar në SPAK nga Partia Demokratike.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu