
Historia e Choupette, maces së famshme të stilistit gjerman Karl Lagerfeld, po rikthehet në qendër të vëmendjes për shkak të një beteje ligjore që vazhdon prej vitesh.
Shtatë vjet pas vdekjes së ikonës së modës, Choupette, e cila u bë e njohur në mbarë botën si muza e Lagerfeldit, thuhet se nuk ka marrë ende asnjë pjesë nga trashëgimia që stilisti kishte deklaruar se do t’i linte.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, pengesa kryesore lidhet me legjislacionin francez, i cili nuk i njeh kafshët si subjekte juridike dhe për rrjedhojë nuk u lejon atyre të trashëgojnë pasuri drejtpërdrejt.
Çështja është ngritur publikisht nga Françoise Caçote, kujdestarja e Choupette dhe administruesja e pjesës së trashëgimisë që ishte menduar për macen. Ajo ka deklaruar se procedurat burokratike dhe ligjore për të respektuar vullnetin e Lagerfeldit kanë qenë të shumta dhe komplekse.
Megjithatë, Caçote siguron se pavarësisht problemeve ligjore, Choupette vazhdon të jetojë me të njëjtin standard luksoz që kishte edhe kur stilisti ishte gjallë.
E njohur për paraqitjet në revista mode, fushata publicitare dhe evente prestigjioze, Choupette u shndërrua në një fenomen global dhe konsiderohej një nga figurat më të famshme në botën e kafshëve shtëpiake.
“Gjëja më e rëndësishme është që Choupette të jetë e lumtur, e rrethuar nga dashuria dhe e mbrojtur ashtu siç do të kishte dashur Karl”, ka deklaruar kujdestarja e saj.
Ndërsa çështja e trashëgimisë mbetet ende e pazgjidhur, macja më e famshme e modës vazhdon të jetojë mes luksit, pavarësisht se ligjërisht nuk mund të konsiderohet trashëgimtare.



