
Kryeministri Edi Rama ka ironizuar kërkesat e protestuesve kundër projektit turistik në Zvërnec, duke u ndalur te një prej kushteve që, sipas tij, i drejtohen qeverisë.
Gjatë një komunikimi publik, Rama u shpreh me tone ironike se kërkesa për dorëheqjen e tij bie ndesh me kushtet e tjera që parashtrohen nga protestuesit.
“Po kur thonë 5 kushte: ‘Jep dorëheqjen’. Po mirë, po jap dorëheqjen, katër të tjerat si do i bëj?”, deklaroi kryeministri.
Rama theksoi se në të gjithë procesin e ndjekur për projektin është vepruar me rigorozitet dhe në përputhje me procedurat ligjore.
Kreu i qeverisë hodhi poshtë gjithashtu pretendimet lidhur me vlerën e investimit, duke sqaruar se shifra prej 27 milionë eurosh e përmendur nga kundërshtarët e projektit nuk i korrespondon investimit aktual.
“Është e sigurt që në të gjithë procesin, ne kemi qenë shumë strikt. Është thënë se investimi është 27 milionë euro. I janë referuar një leje që është kthyer mbrapsht”, u shpreh Rama.
Debati mbi projektin në Zvërnec ka vijuar gjatë javëve të fundit, mes protestave të grupeve ambientaliste dhe qytetarëve nga njëra anë, dhe mbështetjes së qeverisë për investimin nga ana tjetër.






