
Situata në Gostivar mbetet shqetësuese pas rritjes së numrit të personave me simptoma të gastroenterokolitit, ndërsa autoritetet shëndetësore presin rezultatet e analizave që do të përcaktojnë shkakun e ndotjes së dyshuar të ujit të pijshëm.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve janë kryer gjithsej 353 kontrolle mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit. Prej tyre, 204 pacientë janë paraqitur në repartin e Sëmundjeve Infektive, ku tre persona janë shtruar në spital. Në repartin e Pediatrisë janë regjistruar 140 vizita, ndërsa në Qendrën e Emergjencës edhe 9 raste të tjera.
Autoritetet bëjnë të ditur se shumica e pacientëve kanë simptoma të lehta, por për shkak të numrit të lartë të rasteve në një periudhë të shkurtër, situata është shpallur ngjarje epidemike dhe vijojnë hetimet epidemiologjike dhe laboratorike.
Ndërkohë, ka nisur shpërndarja e ujit të ambalazhuar për banorët e Gostivarit. Sipas autoriteteve, çdo ditë do të shpërndahen rreth 50 mijë litra ujë të pijshëm.
Për ngjarjen reagoi edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili kërkoi që përgjegjësit të mbajnë llogari.
Sipas tij, kryetari i Komunës së Gostivarit dhe i gjithë zinxhiri përgjegjës duhet të mbajnë fillimisht përgjegjësi morale, ndërsa Prokuroria do të përcaktojë përgjegjësinë ligjore.
Mickoski theksoi se do të hetohen edhe mbikëqyrësit e projektit të ujësjellësit, të cilët kanë certifikuar përfundimin e punimeve.






