Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ironizoi ish-kryeministrin Sali Berisha gjatë seancës plenare, duke iu referuar ndryshimit të datës së lindjes në dokumentet e gjendjes civile.

“Ka edhe nga ata që kanë ndërruar datën e ditëlindjes, por nuk po i hyjmë kësaj historie. Ta urojmë në korrik apo në tetor, kur e kishte një ditë para diktatorit? Shqipëria i ka këto, sepse kështu ishte gjendja civile”, u shpreh Balla me ironi.

Duke replikuar me deputetin Muçi, Balla tha se mazhoranca është e gatshme të dialogojë me qytetarët që protestuan për mjedisin jo me sorrat.

“Respekti ndaj flamingove nuk ma ndryshon dot askush. Ne jemi të gatshëm në çdo moment të dialogojmë me flamingot, ata që e braktisën të parët llumin, për të gjitha shqetësimet, ankesat dhe zemëratën e tyre, si edhe për mënyrën se si duhet ta bëjmë më mirë detyrën dhe të parandalojmë çdo abuzim me mandatin përfaqësues”, deklaroi ai.

Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për axhendën parlamentare, Balla tha se ajo përcaktohet nga shumica në Kuvend.

“Axhendën parlamentare nuk na e bëni dot ju. Kur të keni 71 vota në sallë, atëherë do të vendosni ju. Deri atëherë është rrugë e gjatë”, u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist.

Balla shtoi se mazhoranca është duke hartuar një ligj të ri për investimet strategjike dhe se koha e paraqitjes dhe miratimit të tij do të vendoset nga shumica parlamentare.

 

fjala eplotë:
Faleminderit, kryetar. Ka edhe nga ata që kanë ndërruar datën e ditëlindjes, por nuk i hyjmë kësaj historie. Edhe ta urojmë në korrik a në tetor në tetor, kur e kishte një ditë para diktatorit? Padyshim. Shqipëria i ka këto, sepse kështu ishte gjendja civile.

Tani, zoti kryetar, në replikë të deputetit Muçi.

Zoti deputet, ta kam thënë edhe në seanca të tjera, po ta rikujtoj: unë vazhdoj të të quaj ty një sorrë edhe Gonen, edhe Llapin, edhe Bufin. Kë të duhesh ti. Sepse më je dukur që ditën e parë si ajo miza në fund të bishtit të kalit.

Ndërkohë, respekti ndaj flamingove nuk ma ndryshon dot as ti, askush tjetër. Ndaj flamingove, të cilët e braktisën llumin e kënetës, ku filloi të kakarisë vetëm bufi dhe sorrat, ne e kemi thënë shumë qartë: jemi të gatshëm në çdo moment të dialogojmë me flamingot, ata që e braktisën të parët llumin, për të gjitha shqetësimet e tyre, për të gjitha ankesat dhe zemëratën e tyre, lidhur me se si duhet ta bëjmë ne detyrën më mirë, si duhet të parandalojmë çdo formë abuzimi me detyrën dhe të gjithë ata zyrtarë që abuzojnë me mandatin përfaqësues.

Ky është dallimi ynë i madh.

Nëse kjo palë këtu u mor peng nga sindroma e Stokholmit, ku i përdhunuari bie në dashuri me përdhunuesin, dallimi ynë i madh me ty, zoti Muçi, dallimi ynë i madh me ty është pikërisht diferenca që dimë të bëjmë dhe leximi…

Për ta mbyllur, zoti kryetar, sa i përket ligjeve që përmendi zoti Muçi: agjendën parlamentare nuk na e bëni dot ju. Kur të ktheheni dhe të bëheni bashkë se bashkë jeni, shumicë parlamentare, agjendën mund ta bëni ju.

Sa i përket ligjit, qoftë për ligjin e zonave të mbrojtura, qoftë për ligjin për investimet strategjike që u përmend këtu, dua ta keni të qartë se ne jemi duke punuar për një ligj të ri për investimet strategjike dhe se kur i vendosim se kur votojmë është një çështje që e cakton vota.

Kur të keni 71 këtu në sallë, do të vendosni ju. Deri atëherë është rrugë e gjatë. Ndoshta nuk ka për të ardhur ndonjëherë, për ju. Për të tjerë ndoshta po, por për ju s’ka për të ardhur ndonjëherë.

Faleminderit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu