Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Verore ka nisur të premten në Paris, derisa organizatorët kanë paralajmëruar spektakël si asnjë tjetër.
Ceremonia ka nisur me një material të incizuar, në të cilin shihet ylli francez i futbollit, Zinedine Zidane duke vrapuar nëpër Paris për të dorëzuar flakën olimpike.
Policia është e angazhuar në secilën qoshe të Parisit, pasi të gjithë sytë e botës janë në Francë.
Kjo është hera e parë që ceremonia do të mbahet në ambient të hapur.
Gati 7.000 atletë do të lundrojnë me anije nëpër lumin Sena në nisje të ceremonisë.
Kosova këtë vit përfaqësohet me nëntë sportistë: pesë xhudistë, një boksiere, një sportiste në atletik dhe dy notarë.
“Jemi shumë të lumtur, kjo ndodh në herë në jetë”, ka thënë 17-vjeçarja, Elise Boukorrass, për agjencinë e lajmeve Reuters.
Moti nuk ka qenë në anën e organizatorëve, pasi reshje shiu ka pasur kohë pas kohe.
“Shiu nuk ma ndal festën në Olimpiadë – sporti është gjithçka për mua dhe do të bëj gjithçka që ta shoh ceremoninë”, ka thënë 20-vjeçarja, Flavia Merluzzi.
Hollësitë e ceremonisë janë mbajtur sekrete – përfshirë atë se cilët artistë do të marrin pjesë dhe kush do ta bartë i fundit flakën olimpike, për të shënuar nisjen e Lojërave – për shkaqe të sigurisë./REL