Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorit E. A., i cili goditi me plumb gome deputetin demokrat të Shkodrës, Kliti Hoti, gjatë protestës së 29 Nëntorit në Tiranë.

Në një deklaratë zyrtare, Policia e Shtetit konfirmon se efektivi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome, duke i cilësuar veprimet e tij si individuale.

Ndaj inspektorit ka nisur hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, bazuar në pamjet filmike dhe faktet e administruara. Paralelisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur veprimet hetimore.

Vendimi për pezullimin e efektivit vjen pas reagimit të ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, i cili kërkoi hetimin e plotë të incidentit, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin.

Policia e Shtetit thekson se asnjë akt dhune apo provokimi nuk mund të përligjë tejkalimin e kompetencave ligjore nga punonjësit e policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Institucioni u bën thirrje qytetarëve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, duke garantuar respektimin e së drejtës kushtetuese për protestë paqësore.

“Çdo akt dhune dhe çdo rast i dyshuar i tejkalimit të kompetencave duhet të trajtohet me objektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale, në përputhje të plotë me ligjin”, thuhet në deklaratë.

Deputeti Kliti Hoti po merr trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës dhe, sipas bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë të orës 15:00, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu