
Një emergjencë financiare prej 1 mijë eurosh do të ishte e papërballueshme me burimet e veta për pothuajse gjysmën e familjeve shqiptare. Sipas anketës SecuriMeter 2026, 46% e të pyeturve në Shqipëri deklarojnë se familja e tyre do të duhej të merrte borxh ose të kërkonte ndihmë për të mbuluar një shpenzim të tillë.
Vetëm 35% thonë se mund ta përballojnë pa mbështetje nga të tjerët, ndërsa 19% nuk janë të sigurt.
Shqipëria shënon përqindjen më të lartë të përgjigjeve negative në Ballkanin Perëndimor. Në Maqedoninë e Veriut, pamundësinë për ta mbuluar këtë shpenzim e deklarojnë 41% e të anketuarve, në Kosovë 37%, në Serbi 31%, në Bosnjë-Hercegovinë 30% dhe në Mal të Zi 29%.
Megjithatë, Shqipëria ka edhe përqindjen më të lartë të përgjigjeve pozitive, çka lidhet me peshën më të vogël të të pasigurtëve. Prandaj, vetëm përgjigjet negative nuk japin një renditje të plotë të gjendjes financiare mes vendeve.
Në nivel rajonal, 36% deklarojnë se nuk e përballojnë këtë emergjencë, 33% se munden dhe 31% mbeten të pasigurt. Shifrat pasqyrojnë vlerësimin e vetë të anketuarve për financat familjare.






