SPAK ka regjistruar një procedim penal ndaj Salarjon Totajt, bashkëshortit të deputetes socialiste Elisa Spiropali. Sipas gazetares Klodiana Lala, kallëzimi përfshin edhe motrën e Totajt, ndërsa hetimet pritet të verifikojnë edhe rolin e vetë deputetes.

Në Prokurorinë e Posaçme është depozituar një kallëzim penal ndaj Salarjon Totajt dhe motrës së tij, për dyshime që lidhen me pastrimin e parave, korrupsionin dhe evazionin fiskal.

Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala, SPAK ka regjistruar procedimin penal dhe në kuadër të hetimeve do të verifikohet edhe roli i deputetes Elisa Spiropali.

Zhvillimi vjen pas përplasjes publike mes ish-kryetares së Kuvendit dhe drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj.

Në emisionin “Top Story”, Spiropali deklaroi se bizneset e familjes së saj ishin vënë nën presion nga administrata tatimore. Ajo akuzoi drejtuesit e institucioneve për përdorimin e pushtetit shtetëror si mjet presioni politik, duke e lidhur drejtorin e Tatimeve me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

Por drejtori i Tatimeve i hodhi poshtë pretendimet, duke deklaruar se kontrollet ndaj bizneseve të lidhura me familjen e Spiropalit ishin kryer në bazë të analizës së riskut dhe denoncimeve të qytetarëve.

Binaj pretendoi se gjatë kontrolleve ishin konstatuar dyshime për evazion fiskal në përmasa të mëdha. Ai akuzoi gjithashtu Spiropalin dhe bashkëshortin e saj për ushtrim presioni dhe kërcënime ndaj inspektorëve tatimorë dhe familjarëve të tyre.

Drejtori i Tatimeve bëri të ditur se dosjet me gjetjet e kontrolleve po u referoheshin organeve ligjzbatuese.

Ende nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK për statusin procedural të Elisa Spiropalit dhe as për ndonjë akuzë të ngritur ndaj saj. Regjistrimi i procedimit penal nuk nënkupton fajësinë e personave të përfshirë në kallëzim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu