
Një mesazh kërcënues për bombë, i gjetur në tualetin e avionit të linjës Mançester–Rinas, ka vënë në lëvizje policinë në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës. Pasagjerët janë zbritur në mënyrë të kontrolluar, ndërsa kontrollet me qen antieksplozivë nuk kanë zbuluar lëndë shpërthyese.
Sipas informacionit paraprak të policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 19:30, kur avioni po ulej në aeroportin e Rinasit. Menaxheri i aeroportit ka njoftuar Policinë Kufitare për një letër të shkruar në anglisht, të gjetur në tualetin e avionit, që përmbante një kërcënim për shpërthim bombe.
Menjëherë, shërbimet policore kanë ndërhyrë në pistë, duke organizuar zbritjen e kontrolluar të pasagjerëve dhe nisjen e kontrolleve të sigurisë.
Avioni, pasagjerët dhe bagazhet e tyre janë kontrolluar me ndihmën e qenve antieksplozivë. Pasagjerët u janë nënshtruar gjithashtu kontrolleve në grupe dhe kalimit në skanerët e aeroportit, për të identifikuar sende që mund të lidhen me autorin e mesazhit kërcënues.
Nga kontrolli i avionit nuk është konstatuar asnjë send shpërthyes.
Për ngjarjen është njoftuar edhe Antiterrori, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për identifikimin e personit që ka shkruar letrën dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.






