Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektbuxhetin për vitin 2027, me vlerë 4.27 miliardë euro, pas një seance maratonë që zgjati deri pas mesnatës dhe u shoqërua me debate të ashpra mes qeverisë dhe opozitës.

Projektbuxheti mori 61 vota pro, ndërsa diskutimet u ndërprenë përkohësisht edhe për shkak të mungesës së energjisë elektrike në Kuvend.

Buxheti i vitit të ardhshëm është rreth 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i vitit 2026 dhe parashikon rritje pagash, mbështetje shtesë për familjet me fëmijë dhe mbi një miliard euro investime kapitale.

Kryeministri Albin Kurti e cilësoi projektbuxhetin si një instrument për ta çuar Kosovën në një fazë të re të zhvillimit ekonomik.

Një nga masat kryesore është pagesa e pagës së 13-të për punonjësit publikë, ndërsa nga 1 korriku 2027 koeficienti i pagave do të rritet në 120 euro.

Sipas Kurtit, për pagat e sektorit publik janë parashikuar 1 miliard e 85 milionë euro, nga të cilat përfitojnë rreth 85 mijë punonjës.

Kjo shumë, sipas përllogaritjeve të paraqitura nga kryeministri, përfaqëson një pagë mesatare bruto prej mbi 1.000 eurosh në muaj për punonjës.

Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe për familjet me fëmijë.

Nga 1 janari 2027, shtesat për fëmijët do të rriten me 25%, ndërsa qeveria synon dyfishimin gradual të tyre deri në vitin 2030, përmes rritjeve të mëtejshme të planifikuara çdo janar.

Për shembull, një familje me dy fëmijë që aktualisht përfiton 60 euro në muaj do të marrë 75 euro, ndërsa një familje me katër fëmijë që merr 180 euro do të përfitojë 225 euro në muaj.

Për herë të parë, mbi një miliard euro janë planifikuar për investime kapitale.

Mes projekteve të përmendura nga Kurti janë Unaza e Jashtme e Prishtinës, segmenti Duhël–Banullë, Autoudha e Dukagjinit dhe një sërë ndërhyrjesh në rrugët kombëtare e rajonale.

Investime janë parashikuar edhe për ndërtimin e digave të reja dhe përmirësimin e menaxhimit të rezervave ujore.

Qeveria ka vendosur gjithashtu të përgjysmojë fondet për udhëtimet zyrtare jashtë vendit, duke i orientuar kursimet drejt blerjes së barnave esenciale për sistemin shëndetësor publik.

Por opozita e ka kundërshtuar projektbuxhetin, duke argumentuar se rritja nominale e shpenzimeve nuk përkthehet domosdoshmërisht në përmirësim të standardit të jetesës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se buxheti është rritur me rreth 7%, por kjo rritje, sipas tij, neutralizohet nga inflacioni.

Ai kritikoi përqendrimin e qeverisë te ndihmat sociale, duke kërkuar më shumë investime që krijojnë vende pune dhe zhvillim afatgjatë.

“Me këtë trend do të duhen 80 vjet për ta arritur mesataren e Bashkimit Evropian”, deklaroi Abdixhiku.

Edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ngritën shqetësime për projektet infrastrukturore të papërfunduara dhe nivelin e ulët të realizimit të investimeve.

Deputetja Time Kadrijaj kërkoi shpjegime nga Kurti për mungesën e financimit të hekurudhës Prishtinë–Durrës në projektbuxhet, megjithëse transporti hekurudhor ishte shpallur më parë si prioritet.

“Kryeministër, keni thënë që hekurudhat janë prioritet, por çka u bë me hekurudhën Durrës–Prishtinë, të cilën nuk e keni përfshirë në buxhet?”, pyeti ajo.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, iu përgjigj kritikave duke deklaruar se gjatë qeverisjes janë krijuar 100 mijë vende pune, duke e çuar numrin e të punësuarve nga 350 mijë në 450 mijë.

Sipas tij, qeveria ka kombinuar mbështetjen për fëmijët dhe pensionistët me politika për rritjen e punësimit dhe pagave.

Miratimi në parim përbën vetëm fazën e parë parlamentare të projektbuxhetit, i cili duhet të kalojë edhe procedurat e mëtejshme përpara miratimit përfundimtar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu