Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka replikuar ashpër me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë seancës parlamentare të kësaj të mërkure, duke e sfiduar opozitën të nxjerrë një kandidat politik për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027.

Në fjalën e tij në Kuvend, Balla ironizoi gjendjen e Partisë Demokratike pas protestave kundër qeverisë, duke deklaruar se demokratët janë aq të lodhur sa nuk kanë më forcë të përballen politikisht me socialistët në kryeqytet.

“Sa për ju këtu, ua them se aq të lodhur jeni, edhe nga protesta, saqë nuk do të keni fuqi të nxirrni kandidat më 9 maj në Tiranë. E ftoj PD-në të nxjerrë kandidat politik në zgjedhjet e 9 majit. Protesta ia ka arritur një qëllimi. Juve ju përdhunoi”, deklaroi Balla.

Socialisti iu përgjigj edhe deklaratave të Berishës për kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se largimi i tij nga pushteti nuk do të përcaktohet nga kërkesat e opozitës.

“Sali, Edi Rama nuk e jep dorëheqjen. Do të qeverisë Shqipërinë derisa të përmbushim programin tonë 2030 e përtej dhe këtë e caktojmë ne socialistët, kurrë ju”, u shpreh ai.

Një pjesë e replikës së Ballës iu kushtua edhe videos së bërë virale nga një ndeshje e Kombëtares shqiptare, ku ai shfaqej duke reaguar ndërsa nga tribunat dëgjoheshin thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”.

Balla kundërshtoi interpretimet politike të gjestit të tij, duke deklaruar se pjesëmarrjen në aktivitete sportive dhe në tubime në mbështetje të UÇK-së e ndan nga funksioni i tij politik.

“Di ta ndaj shumë mirë të qenurit një tifoz futbolli apo të marr pjesë në mitingjet në mbrojtje të UÇK-së me rolin tim politik. Nuk i bashkoj ndonjëherë, sepse për mua të mbështes Kombëtaren apo mitingjet në mbrojtje të UÇK-së janë dy gjërat që dua më shumë”, tha ai.

Duke iu referuar reagimit të tij në stadium, Balla ironizoi Berishën dhe kritikët e tjerë që e kishin interpretuar gjestin si mesazh politik.

“Sa i përket bërrylit, kush e ka lexuar ashtu, me përjashtim të tifozëve të Kombëtares, pashë që e kishte lexuar Llapaqorri, Saliu apo edhe ndonjë tjetër në sallë, po ju lexojeni ‘hip këtu e shih Durrësin’ sa herë të përdorni stadiumin për mesazhe politike”, deklaroi kreu i grupit socialist.

Ai u kërkoi kundërshtarëve politikë që debatet dhe përplasjet partiake t’i zhvillojnë në Kuvend dhe jo në stadiumet ku luan Kombëtarja.

“Politikën silleni në Parlament, por jo në stadium”, përfundoi Balla.

Replikat u zhvilluan gjatë seancës ku po diskutohet projektbuxheti i vitit 2027 dhe paketa fiskale, mes përplasjeve të vazhdueshme mes mazhorancës dhe opozitës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu