Kryeministri Edi Rama ka mbërritur këtë të mërkurë në Kuvend, përpara nisjes së seancës parlamentare ku pritet të diskutohet projektbuxheti i vitit 2027 dhe paketa e re fiskale.

Sipas pamjeve të publikuara, automjeti i kreut të qeverisë është parë duke hyrë në ambientet e Parlamentit. Prania e Ramës vjen pas një periudhe të gjatë mungese në seancat parlamentare, ndërsa pritet që sot ai t’u drejtohet deputetëve me një fjalim nga foltorja.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbërritur më herët në Kuvend, ku po zhvillon një mbledhje me grupin parlamentar demokrat për të përcaktuar qëndrimin dhe aksionin e opozitës gjatë seancës.

Deputetët demokratë kanë deklaruar publikisht se do të votojnë kundër projektbuxhetit të vitit 2027, i cili pritet të jetë në qendër të debatit mes mazhorancës dhe opozitës.

Përveç projektbuxhetit, rendi i ditës përfshin edhe diskutimin e parë të disa projektligjeve të paketës fiskale, që parashikojnë ndryshime në tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.

Projektligjet janë shqyrtuar më parë në komisionet parlamentare dhe tashmë do të diskutohen në seancë plenare.

Prania e kryeministrit Rama dhe mobilizimi i deputetëve të opozitës pritet ta kthejnë debatin për buxhetin e vitit të ardhshëm në një përballje të fortë politike në sallën e Kuvendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu