“Fiton ai që s’mban për vete asgjë, bile as dritën, por njerëzve ua jep në jetë ashtu si dielli dritën”. Me këto vargje të Dritëro Agollit, Tirana përkujtoi 95-vjetorin e lindjes së një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqiptare.

Një mbrëmje e veçantë artistike bashkoi breza të ndryshëm përmes poezisë, muzikës dhe baletit, duke sjellë në skenë krijimtarinë e shkrimtarit që i dha zë jetës së përditshme, dashurisë, mallit dhe botës së njeriut të thjeshtë.

Aktiviteti nisi me një performancë baleti nga fëmijët e veshur me të bardha, të cilët interpretuan një koreografi të frymëzuar nga baleti klasik.

Më pas, vargjet e Dritëro Agollit u interpretuan nga aktorët Luiza Xhuvani dhe Vasjan Lami, ndërsa kompozimet e Gjergj Kaçinarit sollën një ndërthurje të poezisë me muzikën.

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte interpretimi i poezive të njohura të kthyera në këngë, mes tyre “Kur të jesh mërzitur shumë” dhe “Këtu s’do jem”.

Publiku iu bashkua artistëve duke kënduar, duke e kthyer aktivitetin në një festë të përbashkët të fjalës shqipe.

Në skenë u rikthyen edhe fëmijët, këtë herë të veshur me të kuqe, me një tjetër koreografi që i dha mbrëmjes ritëm dhe gjallëri.

Trashëgimia e Dritëroit, nga librat te brezat e rinj

Në qendër të kësaj nisme ishte edhe Fondacioni Kulturor “Dritëro Agolli”, i cili përmes projektit “Roots & Rhythms” synon të lidhë trashëgiminë letrare të shkrimtarit me format bashkëkohore të artit.

Projekti ndërthur gjuhën, kujtesën dhe rrënjët kulturore me muzikën, skenën dhe krijimtarinë e artistëve të rinj, me synimin që vepra e Agollit të vazhdojë të frymëzojë edhe brezat e ardhshëm.

Fondacioni shprehu mirënjohje për Bashkinë e Tiranës, Shtëpinë-Studio Agolli, Muse-X, artistët dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në organizimin e aktivitetit.

95 vite pas lindjes, Dritëro Agolli vazhdon të jetë i pranishëm jo vetëm përmes librave, por edhe përmes këngëve, interpretimeve dhe kujtimeve që bashkojnë lexuesit e tij.

Mbrëmja përkujtimore përcolli pikërisht mesazhin e vargjeve të tij: vlera e asaj që krijojmë qëndron edhe te drita që ndajmë me të tjerët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu