
Tensione janë regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku policia ka nisur shoqërimin e disa qytetarëve që po merrnin pjesë në protestën kundër kryeministrit Edi Rama.
Sipas pamjeve dhe raportimit të Gazetës Panorama, protestuesit po zhvillonin një tubim paqësor kur efektivët e policisë ndërhynë për të shoqëruar disa prej tyre.
Veprimet e policisë shkaktuan reagimin e qytetarëve të pranishëm, të cilët kundërshtuan shoqërimet dhe iu drejtuan efektivëve me thirrjet “Polici e krimit”.
Protesta e kësaj të diele shënon ditën e 169-të të qëndresës së studentëve dhe qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Të rinjtë kanë refuzuar ftesën e kryeministrit për dialog, duke deklaruar se kërkesa e tyre për largimin e tij nga drejtimi i qeverisë është e panegociueshme.
“Nuk kemi më besim te qeveria”, është shprehur një prej studenteve pjesëmarrëse në protestë, duke argumentuar se qeveria nuk ka arritur ta çojë vendin përpara gjatë 13 viteve.
Ndërkohë, një tjetër qytetare ka akuzuar kryeministrin se po përpiqet të përçajë protestuesit.
Deri në momentin e raportimit nuk janë bërë të ditura arsyet konkrete të shoqërimeve apo numri i personave të dërguar në polici.






