
Ndërsa stuhia Charlie solli paralajmërime për mot të keq dhe dallgë të larta në bregdetin shqiptar, Vlora duket se ka vendosur t’i përgjigjet me diell, temperatura verore dhe plazh në mes të nëntorit.
Këtë të diel, më 15 nëntor, temperaturat në qytetin bregdetar kanë arritur deri në 25 gradë Celsius, duke bërë që qytetarë dhe turistë të rikthehen në plazh, sikur të ishte ende verë.
Pamjet e publikuara nga Euronews Albania tregojnë pushues që shijojnë rrezet e diellit buzë detit, ndërsa më guximtarët kanë zgjedhur të futen edhe në ujë.
Moti i ngrohtë ka tërhequr në bregdet si vendas, ashtu edhe turistë të huaj, të cilët kanë shfrytëzuar fundjavën për të kaluar disa orë pranë detit.
Vetëm pak ditë më parë, për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike të lidhura me stuhinë Charlie, në Vlorë ishin paralajmëruar erëra të forta dhe dallgë që mund të arrinin deri në 4.5 metra, ndërsa ishin vendosur kufizime për mjetet e vogla lundruese.
Por pamjet e kësaj të diele ofrojnë një kontrast të fortë me paralajmërimet e ditëve të mëparshme: në vend të shiut dhe dallgëve, diell dhe pushues me rroba banje.
Në mes të nëntorit, Vlora dëshmon se sezoni i plazhit mund të ketë ende surpriza, duke i bërë një “diss” të vërtetë stuhisë Charlie.






