Dy të rinj janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se prodhonin dhe shisnin dokumente të falsifikuara të vendeve të Bashkimit Europian. Operacioni policor, i koduar “Imitimi”, u finalizua pas hetimeve të kryera nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me gazetarët e emisionit investigativ “Piranjat”.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit H. B. dhe B. M., të dy 22 vjeç, të cilët u arrestuan në flagrancë.

Sipas policisë, dy të rinjtë dyshohet se ishin përfshirë në prodhimin dhe tregtimin e dokumenteve false të shteteve të Bashkimit Europian, kundrejt pagesës.

Pasaporta, patenta dhe karta identiteti të falsifikuara

Gjatë operacionit, specialistët e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe të Forcës së Posaçme Operacionale sekuestruan disa dokumente që dyshohet se ishin falsifikuar.

Mes tyre janë një pasaportë polake, një leje drejtimi polake, një kartë identiteti austriake dhe një leje drejtimi austriake.

Gjithashtu, policia sekuestroi 1700 euro, shumë që dyshohet se ishte përfituar nga shitja e dokumenteve të falsifikuara.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe një automjet, një motomjet dhe dy telefona celularë.

Operacioni pas bashkëpunimit me emisionin “Piranjat”

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni “Imitimi” u realizua përmes përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe bashkëpunimit me gazetarët e emisionit “Piranjat”.

Informacionet dhe veprimet hetimore çuan në arrestimin në flagrancë të dy të dyshuarve.

Policia e Tiranës ka falënderuar publikisht gazetarët e emisionit investigativ për bashkëpunimin në zbulimin e kësaj veprimtarie të dyshuar kriminale.

Hetimet vijojnë, dyshime edhe për persona të tjerë

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të identifikuar persona të tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në prodhimin ose shitjen e dokumenteve të falsifikuara.

Policia nuk ka bërë të ditur ende sa dokumente mund të jenë shitur dhe as çmimet me të cilat dyshohet se tregtoheshin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu