Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri. Vendimi është marrë pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike parlamentare dhe Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Në njoftimin zyrtar të Presidencës bëhet e ditur se në konsultime morën pjesë vetëm përfaqësuesit e Partisë Socialiste, Partisë Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, ndërsa forcat e tjera politike parlamentare nuk iu përgjigjën ftesës.

Sipas Presidencës, subjektet që morën pjesë në konsultime u treguan të hapura ndaj datave të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve sugjeroi 9 majin, duke argumentuar se kjo datë krijon më shumë kohë për përgatitjen dhe zbatimin e masave organizative.

Të njëjtën datë preferoi edhe Partia Socialdemokrate, ndërsa përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk shprehën një preferencë të veçantë.

Në njoftim sqarohet se Kodi Zgjedhor parashikon zhvillimin e zgjedhjeve vendore gjatë periudhës së pranverës, në një nga katër të dielat që përfshihen në intervalin 15 prill–15 maj.

Presidenca: Data nuk favorizon asnjë palë politike

Në argumentimin e vendimit, Presidenca thekson se përzgjedhja e 9 majit nuk lidhet me favorizimin e ndonjë force politike.

“Data 9 maj 2027 nuk është e lidhur me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizim të palëve të caktuara apo për ndikim potencialisht të dëmshëm në vullnetin e lirë dhe të pandikuar të zgjedhësve”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Partia Demokratike dhe forca të tjera opozitare refuzuan pjesëmarrjen në konsultimet e thirrura nga kreu i shtetit. PD e kishte cilësuar më herët procesin si një konsultim formal, duke ngritur pretendime se data ishte përcaktuar paraprakisht.

Begaj thirrje partive për garë të drejtë

Pas dekretimit të datës, Presidenti Begaj u bëri thirrje subjekteve politike të përgatiten për procesin zgjedhor me kandidatë, alternativa dhe programe konkrete për qytetarët.

Kreu i shtetit kërkoi zhvillimin e një gare të drejtë dhe respektimin e kuadrit ligjor, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Presidenti u bëri thirrje gjithashtu forcave politike të respektojnë barazinë e kushteve në garë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve demokratike.

Me dekretimin e datës 9 maj 2027, nis zyrtarisht kalendari për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme vendore, ku qytetarët do të votojnë për drejtuesit dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu