Një aksident i rëndë hekurudhor ka tronditur Spanjën mëngjesin e kësaj të mërkure, 28 tetor 2026. Dy trena të shpejtësisë së lartë janë përplasur në provincën e Toledos, duke shkaktuar të paktën 10 viktima dhe një numër ende të papërcaktuar të plagosurish.

Sipas CNN dhe mediave spanjolle, aksidenti ndodhi rreth orës 08:54, me orën lokale, pranë qytetit Urda, në linjën hekurudhore që lidh Madridin me Andaluzinë.

Në përplasje janë përfshirë një tren AVE i kompanisë shtetërore Renfe dhe një tren i operatorit privat Iryo.

Të dhënat paraprake tregojnë se njëri prej trenave ishte ndalur në shina, për arsye ende të panjohura, kur treni tjetër e goditi nga pas.

Përplasja ishte aq e fortë sa disa vagonë dolën nga shinat, ndërsa **dy prej tyre përfunduan poshtë një skarpate**, duke vështirësuar operacionet e shpëtimit.

Në vendngjarje janë dërguar dhjetëra punonjës të emergjencave, zjarrfikës dhe ekipe mjekësore, të cilët po punojnë për nxjerrjen e pasagjerëve të bllokuar mes vagonëve të dëmtuar.

Autoritetet kanë mobilizuar tre helikopterë mjekësorë, dy njësi të kujdesit intensiv dhe ekipe zjarrfikësish nga Alcázar de San Juan dhe Orgaz.

Spitalet e zonës, përfshirë ato të Toledos dhe Alcázar de San Juan, janë vënë në gatishmëri për pranimin e të plagosurve.

Sipas raportimeve të mediave lokale, disa pasagjerë kanë pësuar dëmtime të rënda, ndërsa bilanci i viktimave mbetet paraprak.

Ndërpritet qarkullimi mes Madridit dhe Andaluzisë

Operatori spanjoll i infrastrukturës hekurudhore, Adif, njoftoi ndërprerjen e plotë të qarkullimit të trenave të shpejtësisë së lartë mes Madridit dhe Andaluzisë.

Bllokimi prek edhe lidhjet hekurudhore me Ciudad Realin, duke shkaktuar anulime dhe vonesa të udhëtimeve.

Kompania Renfe ka njoftuar se pasagjerët e prekur nga ndërprerja e shërbimit mund të ndryshojnë ose anulojnë biletat pa pagesë shtesë.

Ministri spanjoll i Transporteve, Óscar Puente, ka ndërprerë agjendën e tij dhe është drejtuar në qendrën e kontrollit hekurudhor në stacionin Atocha të Madridit për të ndjekur situatën.

Sipas mediave spanjolle, hetimet paraprake po përqendrohen te rrethanat në të cilat njëri prej trenave qëndronte i ndalur dhe mënyra se si treni tjetër vijoi lëvizjen në të njëjtën linjë.

Megjithatë, shkaku i përplasjes nuk është përcaktuar ende zyrtarisht.

Ngjarja rikthen shqetësimet për sigurinë e transportit hekurudhor në Spanjë, vetëm nëntë muaj pas tragjedisë së Adamuzit, në provincën e Kordobës, ku në janar humbën jetën 46 persona nga përplasja e dy trenave.

Operacionet e kërkim-shpëtimit në Toledo vijojnë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të ndryshojë me përparimin e ndërhyrjeve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu