Paketa e re fiskale për vitin 2027 ka shkaktuar përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Lideri i opozitës akuzon qeverinë se po përgatit një rritje të ndjeshme të taksave për bizneset, ndërsa Rama u është përgjigjur kritikëve duke deklaruar se po komentojnë dokumente pune ende të paplota.

Në një videomesazh të publikuar të martën, më 27 tetor, Berisha e cilësoi paketën e paralajmëruar si një goditje ndaj sipërmarrjes shqiptare.

Sipas tij, ndryshimet parashikojnë rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, rritjen e tatimit mbi fitimin e korporatave nga 15% në 17%, si dhe uljen e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore.

Berisha akuzoi qeverinë se i ka përgatitur ndryshimet pa konsultim me grupet e interesit dhe paralajmëroi pasoja për bizneset dhe punësimin.

Ai pretendoi se masat mund të çojnë drejt falimentimit të mijëra bizneseve dhe humbjes së një numri të madh vendesh pune, megjithëse nuk paraqiti një analizë ekonomike që të mbështesë këto parashikime.

Kryetari demokrat lidhi gjithashtu vështirësitë e sipërmarrjes me zhvlerësimin e euros dhe dollarit kundrejt lekut, duke pretenduar se kjo ka ndikuar negativisht në eksportet dhe prodhimin industrial shqiptar.

Berisha premtoi se Partia Demokratike, nëse rikthehet në pushtet, do ta anulojë paketën fiskale dhe do të ndryshojë sistemin e taksimit.

“Premtoj qytetarëve shqiptarë se Partia Demokratike do të anulojë këtë paketë dhe do vendosë taksën e sheshtë 10%”, deklaroi ai.

Gjithashtu, PD premton rritjen e pragut të regjistrimit në TVSH në 15 milionë lekë xhiro vjetore dhe uljen e TVSH-së për ushqimet dhe mallrat bazë në 6%.

Por ulja e TVSH-së për ushqimet në 6% është gjithashtu një nga masat që përfshihet në projektpaketën fiskale të qeverisë për vitin 2027.

Sipas dokumenteve të publikuara në media, qeveria synon ta ulë TVSH-në për produktet e shportës ushqimore nga 20% në 6%, ndërsa norma e përgjithshme e TVSH-së parashikohet të rritet nga 20% në 21%.

Për sektorin e turizmit, ndryshimet e propozuara parashikojnë rritjen e normës së reduktuar nga 6% në 10%.

Në të njëjtën kohë, projektpaketa përmban ndryshime në tatimin mbi pagat, duke lehtësuar një pjesë të të ardhurave nga punësimi dhe duke propozuar një normë të re 32% për pjesën e të ardhurave vjetore mbi 8,04 milionë lekë.

**Rama: Nesër flet qeveria, buxheti kalon 10 miliardë euro**

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën X ndaj debatit mbi ndryshimet fiskale, duke kritikuar mënyrën se si po interpretohen dokumentet e qarkulluara.

“Flisni flisni për masat e reja fiskale, grijeni sallatën tuaj të urrejtjes dhe padijes me dokumenta pune të dalë gjysma-gjysma”, shkroi Rama.

Ai njoftoi se të mërkurën, më 28 tetor, qeveria do të paraqesë qëndrimin e saj përmes miratimit të buxhetit dhe paketës fiskale.

Sipas kryeministrit, bëhet fjalë për buxhetin e parë në historinë e vendit që do të kalojë pragun e 10 miliardë eurove, të shoqëruar me atë që ai e cilësoi si paketën më ambicioze për rishpërndarjen e përfitimeve nga rritja ekonomike.

Reagimi i Ramës nuk përmban një kundërshtim të drejtpërdrejtë për secilën prej normave tatimore të përmendura nga Berisha, por vë në dyshim nxjerrjen e përfundimeve mbi bazën e dokumenteve që, sipas tij, nuk janë përfundimtare.

Përplasja politike vjen ndërsa qeveria po përgatit ndryshime të rëndësishme në sistemin fiskal, të cilat mund të ndikojnë njëkohësisht te çmimet e konsumit, detyrimet e bizneseve dhe të ardhurat buxhetore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu