Protesta studentore kundër qeverisë së Edi Ramës ka hyrë këtë të martë, më 27 tetor, në ditën e saj të 15-të. Studentë, pedagogë dhe qytetarë janë mbledhur sërish përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke vijuar tubimet dhe duke refuzuar ftesat e përsëritura të kryeministrit për dialog.

Sipas raportimit të TV Klan, protestuesit janë nisur nga Fakulteti i Mjekësisë dhe kanë marshuar drejt Ministrisë së Arsimit, ku gjatë rrugës u janë bashkuar edhe qytetarë të tjerë.

Pjesëmarrja gjatë protestës së sotme ka qenë më e ulët krahasuar me ditët e mëparshme, ndërsa situata deri në orët e para të pasdites është paraqitur e qetë, pa incidente apo përplasje me policinë.

Studentët dhe pedagogët vijojnë gjithashtu bojkotin e mësimit në universitete. Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë ka njoftuar se bojkoti, i nisur më 21 tetor, do të vazhdojë deri në një vendim të dytë.

Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa të rinjtë kërkojnë përgjegjësi edhe për ndërhyrjet e policisë gjatë tubimeve të mëparshme.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka përsëritur ftesën e tij për dialog.

Këtë të martë, në sheshin përpara Kryeministrisë është vendosur një sofër prej guri, mbi të cilën shkruhet fjala “dialog”, si një tjetër mesazh drejtuar protestuesve për t’u ulur në bisedime.

Por deri tani, studentët kanë kundërshtuar thirrjet e Ramës, duke këmbëngulur në kërkesat e tyre.

Protestat, të nisura më 13 tetor me shqetësime për kushtet e studimit dhe të ardhmen e të rinjve, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë.

Gjatë dy javëve të fundit, disa prej tubimeve janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe me të plagosur, të shoqëruar në polici dhe dëme në prona publike e private.

Ndërkohë, zhvillimet kanë sjellë edhe një angazhim të ri të opozitës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar organizimin e një proteste kombëtare të shtunën, më 31 tetor, në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve.

“Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve”, deklaroi Berisha, duke theksuar se forca politike që drejton do të vijojë t’i mbështesë protestuesit.

Njoftimi i kreut demokrat vjen në një kohë kur protestat studentore kanë vijuar për më shumë se dy javë, ndërsa marrëdhënia mes protestuesve dhe qeverisë mbetet e tensionuar.

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu