Vrasja e Arlinda Zekajt në Pejë ka vënë nën presion institucionet e Kosovës, ndërsa dalin në dritë detaje të reja për kërcënimet që ajo kishte denoncuar përpara krimit. Kryeministri Albin Kurti u ka lënë edhe 54 orë Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të paraqitur një raport mbi veprimet dhe dështimet e mundshme institucionale.

Ndërkohë, Prokuroria ka kërkuar paraburgimin e ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj, për mosrespektimin e një vendimi gjyqësor, ndërsa djali 12-vjeçar i Arlindës është marrë në mbrojtje nga shteti.

Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës, ku 49-vjeçarja u vra me sëpatë. I dyshuari për krimin është Albert Sylaj, ish-kunati i viktimës, i cili sipas informacioneve të policisë vazhdon të jetë në arrati.

Arlinda kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj vetëm tri ditë para vrasjes. Në një letër drejtuar Prokurorisë së Pejës, ajo kërkonte mbrojtje urgjente dhe hetim të zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrimet ligjore.

Paralajmërimi i saj ishte tronditës:

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”

Të martën, më 27 tetor, kryeministri Albin Kurti deklaroi se nuk do të mjaftojë vetëm zbardhja e autorësisë së vrasjes, por duhet të hetohet i gjithë zinxhiri institucional që kishte trajtuar denoncimet e viktimës.

“54 orë nga ky moment i kanë Ministria e Punëve të Brendshme edhe Ministria e Drejtësisë”, deklaroi Kurti, duke kujtuar se një ditë më parë kishte vendosur një afat fillestar prej 72 orësh.

Ai paralajmëroi marrjen e masave në përputhje me ligjin, nëse konstatohen përgjegjësi për mosveprimet institucionale.

“Drejtësinë nuk e kemi të drejtë. Për të mos thënë drejtësinë e kemi të shtrembër. Kemi nevojë ta drejtojmë drejtësinë”, u shpreh kryeministri.

Kurti kërkoi që hetimet të mos kufizohen te rasti i Arlindës, por të shqyrtojnë edhe mënyrën se si trajtohen gratë që vazhdojnë të jetojnë nën kërcënimin e dhunës.

Ndërkohë, një tjetër zhvillim ka ardhur nga Prokuroria Themelore në Pejë, e cila ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj ish-bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj.

Sipas Prokurorisë, më 25 tetor, rreth orës 17:58, Sylaj dyshohet se kishte shkelur urdhrin e Gjykatës Themelore të Pejës, të datës 16 tetor 2026, që e ndalonte të ushtronte dhunë fizike apo psikologjike, ta shqetësonte ose ta kërcënonte Arlindën.

Organi i akuzës pretendon se ai kishte përdorur fjalë kërcënuese ndaj saj dhe kishte marrë rrobat e vendosura në lavatriçe, duke i hedhur në oborrin e shtëpisë.

Për këto veprime, ai dyshohet për veprën penale të “Mospërfilljes së gjykatës”. Ndaj tij ishte ngritur edhe një aktakuzë për kanosje, dy ditë përpara vrasjes.

Jeton Sylaj nuk është personi i dyshuar për kryerjen e vrasjes. Për këtë krim kërkohet vëllai i tij, Albert Sylaj.

Detaje shqetësuese janë bërë publike edhe për fatin e djalit 12-vjeçar të viktimës.

Prokuroria e Pejës ka konfirmuar se fëmija është dërguar në një strehimore dhe tashmë ndodhet nën kujdesin e institucioneve shtetërore.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka ngritur pikëpyetje mbi vendimet e mëparshme të institucioneve lidhur me kujdestarinë e fëmijës.

Sipas tij, Qendra për Punë Sociale ia kishte dhënë kujdestarinë babait, i cili më pas ia kishte deleguar të vëllait, një person që, sipas ministrit, kishte një dosje të rëndë në polici.

Këto deklarata kanë shtuar kërkesat për hetimin e mënyrës se si institucionet kanë trajtuar jo vetëm sigurinë e Arlindës, por edhe interesin dhe mbrojtjen e fëmijës së saj.

Vrasja ka shkaktuar reagime të shumta politike dhe institucionale në Kosovë. Kuvendi ka miratuar një rezolutë me 67 vota, ndërsa kërkohet identifikimi i çdo përgjegjësie të mundshme për mosparandalimin e tragjedisë.

Raporti që Kurti ka kërkuar nga dy ministritë pritet të hedhë më shumë dritë mbi veprimet e policisë, institucioneve sociale dhe hallkave të tjera që kishin marrë dijeni për rrezikun ndaj viktimës.

Arlinda Zekaj kërkoi ndihmë nga shteti përpara se të vritej. Tashmë hetimet duhet të përcaktojnë nëse paralajmërimet e saj u trajtuan me seriozitetin dhe urgjencën e kërkuar nga ligji.

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu