Protestat studentore dhe përplasjet e dhunshme në Tiranë kanë zhvendosur tensionet politike edhe brenda Kuvendit. Mbledhjet e komisioneve parlamentare, të zhvilluara këtë të martë, 27 tetor, janë shoqëruar me debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, akuza për dhunë policore, kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe replika për sulmet ndaj efektivëve të policisë.

Deputetët e Partisë Demokratike kanë kërkuar shpërndarjen e Parlamentit, krijimin e një qeverie tranzitore dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, duke deklaruar se mbështesin protestat e studentëve.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Partisë Socialiste kanë kërkuar që opozita të distancohet nga personat e maskuar që kanë përdorur molotovë dhe mjete të tjera të dhunshme gjatë protestave.

Një nga debatet më të forta u zhvillua në Komisionin e Ligjeve, ku deputeti demokrat Oerd Bylykbashi akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim joproporcional të forcës ndaj protestuesve.

Ai kërkoi që Prokuroria të hetojë të gjithë zinxhirin komandues të policisë, duke pretenduar se gjatë ndërhyrjeve janë plagosur rëndë qytetarë, përfshirë të rinj që kanë pësuar dëmtime nga plumbat e gomës.

Deputeti socialist Ulsi Manja iu përgjigj me akuza ndaj Partisë Demokratike.

“T’ju vijë turp”, deklaroi Manja, duke e cilësuar selinë e PD-së një “seli dhune”.

Ai akuzoi opozitën se ka nxitur protestat e dhunshme dhe se në selinë e saj janë strehuar persona që kanë përdorur mjete piroteknike kundër policisë. Këto pretendime u kundërshtuan nga demokratët.

Përplasjet vijuan edhe në Komisionin për Çështjet e Brendshme.

Deputeti Isuf Çelaj kërkoi që ministri i Brendshëm, Ervin Demo, të raportojë për veprimet e policisë, ndërsa kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi se largimi i qeverisë do të ishte një përgjigje politike ndaj situatës.

“Dorëheqja nuk është mëkat, është përgjegjësi, reflektim në raport me situatën”, tha Mediu.

Por kryetari socialist i komisionit, Bledar Çuçi, kërkoi që opozita të dënojë fillimisht sulmet ndaj punonjësve të policisë.

“Protesta është e ligjshme, por dhuna e vandalizmi janë të patolerueshme”, deklaroi Çuçi.

Ai theksoi se edhe rastet e tejkalimit të kompetencave nga efektivët duhet të hetohen, por kjo nuk mund të shërbejë si justifikim për sulmet ndaj policisë dhe institucioneve.

Pas replikave, Mediu dhe Çelaj u larguan nga mbledhja.

Në Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme, deputetja demokrate Albana Vokshi akuzoi mazhorancën për manipulim të zgjedhjeve dhe dhunë ndaj protestuesve, duke kërkuar shpërndarjen e Kuvendit.

Kryetari i komisionit, Igli Hasani, i kundërshtoi kërkesat e opozitës.

“Nëse dëshironi të hiqni dorë nga mandatet, bëjeni”, deklaroi Hasani, duke theksuar se Parlamenti është zgjedhur me votë.

Debatet u përshkallëzuan edhe në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik.

Deputetja Jorida Tabaku kërkoi raportimin e ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj.

Tabaku pretendoi se gjatë protestave janë shoqëruar rreth 1 mijë të rinj, mes tyre 250 të mitur, ndërsa 47 gazetarë janë përballur me kërcënime, intimidime apo sulme. Shifrat e përmendura prej saj nuk u shoqëruan në debat me një verifikim të pavarur.

Deputeti socialist Ardit Bido deklaroi se mazhoranca është dakord që ministri i Brendshëm të raportojë, por akuzoi opozitën se shmang dënimin e dhunës ndaj policëve.

“Protestues të maskuar nën petkun e të qenit studentë, të cilët në fakt janë militantë të PD-së, futen në zyrat e PD-së dhe marrin molotovë”, pretendoi Bido.

Edhe në Komisionin e Bujqësisë, deputeti demokrat Xhelal Mziu kërkoi dorëheqjen e Ramës, ndërsa kryetari socialist Blendi Klosi deklaroi se puna për shqyrtimin e projektligjeve duhet të vazhdojë.

Përplasjet e së martës tregojnë se tensionet e krijuara nga protestat janë shndërruar në temën kryesore të debatit parlamentar.

Ndërsa opozita kërkon përgjegjësi për veprimet e policisë dhe largimin e qeverisë, socialistët insistojnë te dënimi i akteve të dhunshme dhe vijimi i punës së institucioneve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu